Vrasja e Pjerin Xhuvanit, dëshmia e Arbër Paplekës: Jam i tronditur!

Zbardhet dëshmia e Arbër Paplekajt, ish-efektivi i policisë i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

Paplekaj shprehet i tronditur për humbjen e jetës së një personi, si dhe shprehet se është trajnuar për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe jo për ti vrarë ato.

DËSHMIA:

“Duke qenë se jam tepër i tronditur nga ngjarja e ndodhur për shkak të humbjes së jetës së një personi dhe se nuk kisha menduar ndonjëherë se do të gjendesha në një situatë dhe rrethanë që të rrezikoja jetën e dikujt për shkak se unë jam i trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve pavarësisht rrethanave ekstreme në të cilat jam ndodhur për të reaguar në mbrojtje të vetes dhe personave me të cilët isha nuk ndryshon dhimbjen dhe tronditjen që kam.

Po kështu duke qenë në kushtet e ndalimit dhe nuk kam dijeni se në ç’rrethana ndodhet familja ime dhe katër fëmijët që unë kam për këto arsye unë nuk jam i qetë për të dhënë shpjegime në këto momente.

Unë nuk do të jap shpjegime, por kam kërkuar ditën e ndalimit këqyrjen dhe ekzaminimin mjeko-ligjor të një plage të dukshme të cilën e kam në dy gishtat e fundit të dorës së djathtë.

Ky fakt është i pasqyruar dhe në regjistrin e mjekut të dhomave të paraburgimit i cili ma ka parë këtë dëmtim dhe e ka regjistruar, por unë nuk e kam lënë të ma mjekojë për shkak se nuk ishte bërë këqyrja dhe ekzaminimi mjeko-ligjor.

Kërkoj aktualisht që të kryhet dhe ekzaminimi mjeko-ligjor. Kaq kam për të thënë. Procesverbali pasi u lexua dhe u gjet i rregullt u firmos pa vërejtje”.

 

Shtuar 26.04.2021 10:50