Vrasja e Pjerin Xhuvanit, çfarë paralajmëroi Artan Hoxha

Gazetari investigativ Artan Hoxha, paralajmëroi dy ditë më parë në studion e “ABC LIVE”, se brenda 21 korrikut do të shkonte për gjykim dosja e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, në 21 Prill të vitit 2021, vetëm katër ditë para zgjedhjeve të përgjithshme.

Lidhur me këtë çështje një ditë më parë Gjykata e Elbasanit vendosi masën arrest shtëpie për dy drejtuesit e lartë të Policisë së Elbasanit, Nikollaq Papa dhe Albert Nushi, si dhe pezulloi nga detyra 6 efektivë policie, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, dhe atë të deklarimit të rremë.

Sipas gazetarit Hoxha, forcat e policisë kanë qenë të pranishme në vendngjarje ditën që u vra mjeku psikiatër Pjerin Xhuvani, por nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar vrasjen e mjekut, ku mbetën të plagosur dhe katër persona të tjerë.

Hoxha risolli edhe një herë në kujtesë se çfarë ndodhi më  21 prill të vitit që shkoi, katër ditë para zgjedhjeve, ai tha se një kamera sigurie e vendosur larg nga vendi i ngjarjes ka filmuar të gjithë skenën.

Kamera ka qenë larg, por cilësia e imazhit sipas tij është shumë e lartë dhe çdo gjë duket qartë. Pamjet, sipas gazetarit, i disponon prokuroria dhe janë përdorur për rindërtimin e skenës.

Sa i përket efektivëve dhe nëndrejtorëve, Hoxha thotë se ata janë sot në procedim penal sepse janë përgjegjës për atë që ka ndodhur.

Vetë Hoxha i ka parë pamjet e filmuara dhe thotë se të parët që qëlluan ishin anëtarët e Strukturës së Mbrojtjes së Votës të PD-së.

“Policia ishte më e pakët në  numër, edhe se ata që ishin edhe se ata që erdhën. Këta që erdhën ishin të njohur në qytet, s’i prekte dot. Ata nuk patën kurajo të vepronin. Kurse opozita pati përgjegjësinë e zmadhimit të ngjarjeve.”

Në automjetin e Mehmet Grecës, sipas gazetarit, nuk kishte as para dhe as karta identiteti. Në automjet ai kishte pasur vetëm fotokopje kartash identiteti dhe vetëm disa para xhepi.

“Shkoi në Elbasan SMV, atë mëngjes. Në Elbasan Arena një ditë më parë u bë një takim i madh, që krijoi përshtypjen se mazhoranca kishte epërsi të madhe në Elbasan. Opozita donte të tregonte forcën…Nuk shkuan kot, por ai u doli që s’kishte gjë. Nuk do t’i shpërndante në mëngjes paradite lekët.”

Artan Hoxha tregoi po ashtu se asnjë nga palët nuk ka bashkëpunuar me policinë. Sipas tij, dëshmitarët kanë frikë kurse të përfshirët kanë bërë një pakt “të vdekurit ikën, të shpëtojmë të gjallët.” /abcnews.al