Vrasja e Liridona Ademajt me porosi të bashkëshortit, Vjosa Osmani: Këtë vit po e mbyllim të mbuluar nga hija e trishtimit

Në fjalimin e saj vjetor, Presidentja Vjosa Osmani, ka përmendur edhe Liridona Ademajn, 30-vjeçaren që u ekzekutua mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë, vrasjen e të cilës dyshohet se e porositi bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Të nderuar deputetë, edhe një vit po e përmbyllim të mbuluar nga hija e trishtimit sepse humbëm padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme jetë të shenjta, të bashkëqytetarëve tona të dashura. Liridona Ademaj është emri që kumbon fort, sikurse edhe emri i shumë grave tjera e vajzave të tjera, si përkujtim i çdo ditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas kur padrejtësia zë vend fuqishëm. Kjo tashmë është një plagë e rëndë e shoqërive anë e mbanë botës. Nëse deri tash i referoheshim si pandemi, e vërteta është që tash kjo është shndërruar në tragjedinë e ditëve tona.

Ta kemi të qartë njëherë e përgjithmonë, dhuna me baza gjinore nuk është thjeshtë një çështje e grave, është test për njerëzimin, e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim, angazhimin e të gjithëve, burra e gra. Dhuna në bazë gjinore është një njollë e patolerueshme. Nuk është çështje private, është një turp kolektiv me të cilin duhet të përballemi kokë më kokë. Duhet të forcohet cdo hallkë në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, në përballje me këtë fenomen”, ka deklaruar Presidentja.


Shtuar 15.12.2023 12:49