Vrasja e Kastriot Reçit, “Killeri” hyri si burrë e doli i veshur si grua! “Zbardhen” dëshmitë

Janë ditët e para të janarit. Njerëzit në qytetin e vogël të Rrëshenit, kanë lënë pas ditët e festave dhe i janë kthyer rutinës së tyre të përditshme të punëve pa harruar edhe përshëndetjet e rastit që në këtë qytezë janë të pranishme kurdoherë. E tillë duhet të ishte dita edhe për Kastriot Reçin, një pronar televizioni lokal, i cili nuk do ta mendonte se do të humbiste jetën pikërisht aty ku ai do të ndihej më i sigurt, vetëm pak metra larg biznesit të tij, në sheshin kryesor të qytetit, i qëlluar me një plumb pas shpine nga një snajper që po e priste prej kohësh në tarracën e një pallati që shikonte nga bizneset e tij.

Një atentat tipik mafioz ku vrasësi nuk mori parasysh as faktin që në prani të viktimës, ishte edhe një fëmijë me nënën e tij, por që ishte e vetmja mundësi për të eliminuar shënjestrën e atentatit që ruhej me masa të forta sigurie.

Dosja Hetimore

Më datë 07.01.2020 jemi njoftuar se në qytetin e Rrëshenit është vrarë me armë zjarri Kastriot Reçi. Pas marrjes së këtij njoftimi kemi shkuar në vendin e ngjarjes. Atje kemi fokusuar një njollë me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, ku me anë të një tamponi u mor kampion për ekzaminime laboratorike.

Pas këqyrjes së pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë në subjektin lokal “Filopati” u konstatua se viktima nuk është qëlluar nga një distancë e afërt dhe nuk shfaqet në afërsi të vendit asnjë person i dyshimtë.

Një nga personat e parë që shkoi në ndihmë të viktimës, ishte edhe vëllai i tij.

Ai që në fillim nuk kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur, ashtu sikur nuk e kishin kuptuar as personat që ndodheshin përreth, të cilët në fillim menduan se kishin të bënin me një sulm kardiak, por që në fakt do të rezultonte se ishte një sulm me armë.

Martin Reçi, vëllai i Kastriot Reçit

Në kohën kur ka ndodhur ngjarja isha në lokalin tim në qytetin e Rrëshenit duke pirë kafe.

Rreth orës 11:00 kam parë njerëz jashtë lokalit duke vrapuar. Pasi kam dalë kam parë vëllain tim Kastriotin të shtrirë në tokë. Menjëherë e kam dërguar në spitalin e Rrëshenit.

Vrasja e Kastriot Reçit vendosi në alarm Policinë e Shtetit, por tronditi edhe njëherë qytetin e vogël të Rrëshenit, tashmë të mësuar me ngjarje të tilla të rënda.

Ku ajo që do të ishte e qartë, ishte se në ndryshim me ekzekutimet e mëparshme, tanimë kishin të bënin me një atentat jo të zakonshëm në llojin e tij, ku vrasësit, në pamundësi për ta ndjekur nga pas viktimën e tyre, kjo, për shkak të masave të forta të sigurisë me të cilat ai ruhej, kishin zgjedhur ta eliminonin me anë të një skeme të mirëfilltë mafioze, e denjë për filma. Gjë që do të zbulohej shpejt nga kamerat e sigurisë në perimetrin ku ndodhi krimi.

Dosja Hetimore

Nisur nga pamjet filmike u krijua dyshimi se viktima mund të jetë qëlluar nga një armë snajper.

Pas kësaj u orientuan shërbimet në terren duke përcaktuar të gjitha objektet e larta në afërsi të vendit të ngjarjes. Më i mundshmi u përzgjodh pallati 9 katësh që ndodhet në një distancë 150 metra larg vendit të ngjarjes. Shkuam në pallatin që përmendëm dhe përkatësisht në katin e nëntë, apartamenti nr.28 u gjet me derë të jashtme të hapur, me dorezë të thyer dhe me çelës të vendosur nga jashtë.

Në apartament u gjet një çantë, si ato që përdoren për mbajtjen e armëve dhe brenda saj u gjetën dy tapa plastike, si ato që përdoren për mbulimin e shënjestrës optike dhe një copë kanotiere e grisur.’

Shpejt grupi hetimor gjeti edhe armën e krimit, një snajper i modifikuar, snajper që do të rezultonte i vjedhur në Kosovë.

Të paktën kështu rezultoi sipas dëshmisë së personit që e kishte pasur në posedim, në dëshminë që atij i ishte marrë nga prokuroria përmes letër porosisë.

Por ajo që do të befasonte grupin hetimor, do të ishte veshja e snajperistit, i cili për tu kamufluar kishte veshur një fustan dhe në kokë mbante një paruke, në dukje me një bisht pas koke.

Dosja hetimore

Gjatë këqyrjes së territorit, 10 metra larg pallatit u gjet një armë zjarri pushkë me ngjyrë të zezë, me silenciator të vendosur në tytë dhe shënjestër optike të vendosur në trupin e armës.

Nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezultoi se rreth orës 06:35 nga ana lindore e lokal “Europa”, afrohet një automjet fuoristradë “Mercedez-

Benz”, në dukje ngjyrë gri, targat e së cilës nuk fiksohen. Makina ndalon tek hyrja e pallatit, ku nga dera e pasme e djathtë e saj zbret një person, në dukje mashkull i veshur me xhup ngjyrë të hapur, me kapele me strehë dhe me tuta ngjyrë të errët. Pasi zbret nga mjeti, nxjerr nga bagazhi një çantë në formë gjatësore, si ato që përdoren për të mbajtur armë të gjata. Më pas merr një çantë tjetër nga sedilja e pasme e makinës dhe me dy çantat në dorë niset drejt hyrjes së pallatit. Më pas automjeti largohet në drejtim të rrugës së tregut.

Në orën 12:07 vërehet një person duke dalë me shpejtësi nga hyrja e pallatit, me flokë të gjata të lidhura bisht, në dukje paruke, me një fustan me ngjyrë të zezë dhe tuta poshtë fustanit. Ky person lëviz me shpejtësi në drejtim të rrugës që të çon tek tregu i fruta-perimeve.

Grupi hetimor verifikoi se apartamenti nga ku u krye qitja i përkiste Gjergj Tomës, i cili deklaroi se ia kishte dhënë objektin me qira për periudhën e verës Pashk Frrokut, nga fshati Klos i Mirditës. Ky i fundit i kishte thënë se do ta përdorte banesën për një periudhë tre mujore, bashkë me një shokun e tij, për të mbjellë hashash.

Dosja hetimore

Gjergj Toma thotë se u ka dhënë këtyre personave, dy çelësa dhe në fund ata i kishin kthyer vetëm një çelës të banesës. Ndërsa Pashk Frroku i kishte thënë se njërin çelës e ka vëllai i tij që ishte larguar në Gjermani.

Lidhur mbi këtë dëshmi, prokuroria mori në pyetje edhe shokun e Pashk Frrokut, i cili kishte shërbyer si ndërmjetës midis këtij të fundit dhe pronarit të apartamentit, nga ku më pas rezultoi se ishte qëlluar me snajper Kastriot Reçi.

Alfred Ahengu, shoku i Pashk Frrokut

Në muajin maj të vitit 2019 një shok i quajtur Pashk Frroku me banim në Klos-Mirditë, më ka kërkuar ti gjeja një shtëpi me qira në qytetin e Rrëshenit. Pasi kam pyetur kushëririn tim Gjergj Toma, ky i fundit më ka thënë se kishte një shtëpi në zonën e Rrëshenit. Më pas të dyja palët ramë dakord për kushtet e kontratës. Pashk Frroku qëndroi dy apo tre muaj në shtëpinë e Gjergjit. Ndërsa unë nuk kam qenë asnjëherë në atë apartament dhe nuk e di ku ndodhet.

E njëjta dëshmi u përforcua edhe nga vëllai i Pashk Frrokut.

Pashk Frroku

Banesën e kam marrë me qira për të mbjellë hashash, por në momentin që nuk kam siguruar farat e hashashit, kam fjetur në këtë shtëpi për 15 ditë dhe më pas jam larguar për në Gjermani.

Një tjetër person që u pyet nga grupi hetues në lidhje me apartamentin ishte edhe Florian Preçi.

Personi që rezulton se kishte ndarë me Pashk Frrokun, apartamentin.

Florian Preçi, shoku i Pashk Frrokut

Shtëpinë e kishim marrë për të mbjellë hashash. Jam larguar më përpara Pashkut sepse ai nuk arriti të gjente farat e hashashit. Nuk kemi kontaktuar me asnjë banor të pallatit dhe kishim vetëm çelësat e bravës poshtë.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ rezulton se përgatitjet për atentatin kanë nisur mesditën para se të finalizohej eliminimi i Kastriot Reçit në qendër të Rrëshenit.

Nga këqyrja e pamjeve filmike, të lokalit ‘Europa’ rezulton se më datë 7 janar rreth orës 12:00, përpara pallatit nga ku do të qëllohej më pas Kastriot Reçi, shfaqet fillimisht Marjan Marku që mban edhe mbiemrin Bardhi.

Në këtë kohë, përpara pallatit nga ku do të qëllohej Reçi, qëndron i parkuar një automjet, me targa AA822 M.

Nga ku dallohet se shoferi i këtij automjeti pret në makinë për afro 6 minuta, derisa në objekt shfaqet një person i maskuar me një sqepar në dorë i cili, i bën shenjë që të largohet.

Pas largimit të automjetit të parë, në vendngjarje afrohet një automjet tjetër.

Tip C-class me ngjyrë blu me targa AA635 MY, nga ku dalin dy persona të maskuar të cilët futen në pallat. Po sipas kamerave të sigurisë, vetëm pak minuta më pas, të tre personat që u ngjitën në pallat në kohë të ndryshme nga njëri-tjetri, vihen re se dalin së bashku dhe ngjiten në automjetin tip C-Class dhe largohen nga e njëjta rrugë nga ku erdhi edhe autori i krimit.

Në bazë të verifikimeve të kryera nga policia, targa AA635 MY rezultoi të jetë e vjedhur në qytetin e Elbasanit, në muajin shtator të vitit 2019, vetëm disa muaj përpara se Kastriot Reçi të qëllohej për vdekje.

Ndërkohë që vrasësit siç do të rezultojë edhe nga ekspertiza kriminalistike ishin kujdesur që të mos linin asnjë gjurmë në vendin e krimit.

Eksperti kriminalist

Nga ekspertimi daktiloskopik, në dorezën e grilës objekt ekspertimi të fiksuar në cilësinë e provës materiale, në vendin e ngjarjes nuk u përftuan gjurmë papilare të vlefshme për identifikim.

Por cilat ishin problemet ku Kastriot Reçi dhe familja e tij ishin përfshirë dhe pse grupi hetimor mori në sitë të gjithë dëshmitë e familjes Gjini po nga Rrësheni.

Edhe pse Martin Reçi, vëllai i viktimës Kastriot Reçi, mohoi që vëllai i tij të kishte konflikte apo hasmëri me familjen Gjini, madje duke i cilësuar korrekte marrëdhëniet me këtë familje, grupi hetimor nuk u bind nga dëshmitë e tyre.

I pari që u pyet ishte Gjergj Gjini.

Babai i Preng Gjinit, familja që vetëm disa muaj para se të ekzekutohej Kastriot Reçi, kishte humbur në atentat në Rrëshen, një nga djemtë, Armando Gjinin, i njohur edhe me emrin Tonin.

Ky i fundit i arrestuar dhe më pas liruar nga gjykata për Krime të Rënda, si një prej anëtarëve të grupit kriminal të drejtuar nga Met Kanani.

Gjergj Gjini, babai i Armando Gjinit

(Vrarë në qytetin e Rrëshenit më 12.08.2019)

Kam një djalë që quhet Preng Gjini i cili është larguar jashtë shtetit dhe hera fundit që kam kontaktuar me të ka qenë muaji dhjetor.

Me familjen Reçi nuk kemi konflikte dhe nuk kemi shkuar për ngushëllime pasi as ato nuk kanë ardhur tek ne për ngushëllime për vrasjen e djalit tim Armando Gjini.

Lidhur mbi ngjarjen grupi hetues mori në pyetje edhe Marjan Markun, personin që dallohet nga kamerat e sigurisë në lokalin ‘Europa’, i cili, siç do të tregojë në dëshminë e tij nuk i fshehu konfliktet me familjen Reçi, por mohoi të kishte lidhje me vrasjen.

Por, po kështu nuk pranoi të kishte bashkëpunuar me familjen Gjini, hasmin e deklaruar të familjes Reçi.

Marjan Marku

Ditën e ngjarjes kam qenë në qytetin e Rrëshenit ku kam pirë kafe në 3 lokale në zonë. Më pas kam shkuar në shtëpi. Lajmin për vrasjen e Kastriot Reçit e kam marrë nga mediat. Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me viktimën prej vitesh, pasi vëllai im ka vrarë në vitin 1995 në qytetin e Rrëshenit shtetasin Ilir Reçi, kushëri i Kastriot Reçit.

Me Preng Gjinin kam marrëdhënie të mira, por nuk e kam takuar që prej vrasjes së vëllait të tij Tonin Gjini.

Gati tri javë pas vrasjes, prokuroria i kërkoi Gjykatës së Rrethit Lezhë, lejen për të ushtruar kontroll në banesën Marjan Markut dhe të personave që ndodheshin me të në kafe ‘Europa’, në momentin kur po kryhej krimi.

Prokuroria Lezhë

Nga këqyrja e kamerave të brendshme të lokal ‘Europa’ nga ora 08:30 deri në orën 12:00, Marjan Marku ka qenë i ulur në ambientet e brendshme të këtij lokalit ku në intervale të ndryshme kohore është pare në praninë e disa personave.

Më datë 31.01.2020 i është kërkuar Gjykatës së Rrethit Lezhë kontroll për banesat e shtetasve; Viktor Marku, Marjan Marku, Nikolin Gjoka dhe Viktor Vuka. Nga ku në banesën e Viktor Markut janë gjetur:

-një krehër pistolete me ngjyrë të zezë me 3 copë fishekë

-një mbajtëse fishekësh plastikë me ngjyrë vishnje

-një pako kartoni me 72 fishekë me ngjyrë bronxi

Në mungesë të provave të mjaftueshme që do ti çonin drejt autorëve të mundshëm të krimit, grupi hetues u ndal edhe njëherë në kërkimet e veta në familjen Gjini, e cila, siç do të rezultojë në vazhdim të kësaj dosje hetimore, është në konflikt të hapur me familjen Reçi, ku në mes janë pazaret e prishura të drogës.

Për këtë qëllim, grupi hetues mori në pyetje edhe një nga djemtë e familjes Gjini.

Preng Gjinin, i cili vetëm disa muaj më parë kishte humbur vëllain e tij në një atentat edhe ky, një krim pa autor, por ku të gjithë dyshimet e policisë binin mbi familjen Reçi.

Preng Gjini që vetëm disa muaj pas eliminimit ndaj Kastriot Reçit, do të binte edhe vetë pre e një atentati, ku do të mbetej i plagosur rëndë.

Preng Gjini

Gjatë vënies së eksplozivit në makinë dhe vrasjes së vëllait tim Armando Tonin Gjini, unë kam qenë në Belgjikë. Unë e kam pyetur Toninin se çfarë kishte ndodhur ditën e vënies së eksplozivit.

Ai më tha se kishte parkuar makinën si përherë poshtë pallatit ku banonte. Në mëngjes kishte marrë makinën dhe kishte çuar fëmijët në shkollë si dhe bashkëshorten në punë. Ai më shpjegoi se duke i dhënë makinës e kishte bezdisur diçka pas kurrizit, dhe se kur kishte zbritur kishte konstatuar se i kishin vënë eksploziv. Më pas kishte njoftuar policinë e cila kishte shpërthyer lëndën plasëse bashkë me makinën. E pyeta Toninin nëse kishte probleme me ndokënd.

Ai më ka tha se nuk kishte asnjë konflikt dhe se nuk e kishte idenë se kush mund ta kishte bërë këtë.

Preng Gjini dëshmoi përballë hetuesve edhe për atentatin e dytë që i mori jetën vëllait të tij, por edhe në këtë dëshmi përjashtoi konfliktet me familjen Reçi.

Ndërkohë që konfirmoi marrëdhëniet e ngushta që familja e tij kishte me Marjan Markun që mban edhe mbiemrin Bardhi, personi që momentin e vrasjes së Kastriot Reçit, ndodhej në kafenenë përballë pallatit nga ku ndodhi krimi.

Preng Gjini

Në rastin e dytë kur është vrarë Tonini kam qenë sërish në Belgjikë. Njoftimin ma ka dhënë nëna dhe e kam parë në televizor. Në Shqipëri kam mbërritur rreth orës 02:00-02;30 të ditës që ka ndodhur ngjarja.

Pasi është bërë ceremonia mortore kemi biseduar me familjen për problemet që mund të ketë psur Tonini, por nuk kemi arritur në një konkluzion. Tri ditë më vonë jam larguar nga qyteti i Rrëshenit si dhe nuk kam shkuar që nga ajo kohë. Për sa i përket familjes Reçi konkretisht shtetasve Gasper dhe Kastriot Reçi nuk kam asnjë konflikt me atë familje. Në lidhje me vrasjen e Kastriot Reçit jam vënë në dijeni nëpërmjet lajmeve në televizor. Nuk di asgjë lidhur me këtë ngjarje. Në lidhje me familjen Bardhi kam pasur dhe kam marrëdhënie shumë të mira si familje, madje Tonini dhe Martin Bardhi kanë qëndruar shumë bashkë. Me familjarë të familjes Bardhi nuk jam takuar që nga dita e ceremonisë mortore të Toninit.

Por edhe pse përjashtoi mundësinë e një konflikti me familjen Reçi, të paktën në dukje, një lajmës i parashikoi fatin që do ta përndiqte edhe atë vetë dhe që do të konkretizohej disa muaj më vonë, ku tashmë radha i kishte ardhur vetë Preng Gjinit.

Preng Gjini

Një miku im më ka thënë që të ruhesha pasi edhe mua mund të më vrisnin, por se për çfarë arsyeje dhe nga kush duhet të ruhesha nuk ma ka thënë. Kam tentuar të largohem, por nuk kam mundur sepse kam “Ekspuls” deri në vitin 2021. Këtë ekspuls e kam marrë pasi kam mbaruar dënimin në Itali.


Shtuar 16.03.2022 22:28