Vrasja e Aldi Ramës, efektivi Myrteza Mehmeti pritet të përballet me drejtësinë për “kryerjen e veprimeve arbitrare”

Efektivi i policisë së Lezhës Myrteza Mehmeti do të përballet me drejtësinë për akuzën e Kryerjes së Veprimeve Arbitrare.

Sipas akuzës se ngritur, Mehmeti ka kryer veprime arbitrare gjatë arrestimit te 21-vjeçarit Aldi Rama, i cili u vra nga policia pasi kishte qëlluar për vdekje oficerin e policisë Saimir Hoxha në shtator të vitit të shkuar.

Dosja ndaj efektivit të policisë ka kaluar për gjykim në themel nga gjykatësi Ilir Perdeda, pasi ishin zhvilluar me herët disa seanca paraprake dhe prokurori Francesk Ganaj ka depozituar provat e grumbulluara për rastin.

Myrteza Mehmeti ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij, por sipas prokurorisë është provuar keqtrajtimi i 21-vjeçarit Aldi Rama gjatë momentit të kontrollit ndaj të riut. Kallëzimin e kishte bërë vete 21-vjeçari Rama para se të kryente vrasjen e oficerit të policisë duke pretenduar se ishte dhunuar dhe keqtrajtuar nga policia ndërsa ishte ndaluar me lëndë narkotike dhe një armë të ftohtë.

Hetimet janë kryer për 3 efektivë që kanë qenë pjesë e patrullës në ditën e ngjarjes, por vetëm për Murteza Mehmetin prokuroria pretendon se ka siguruar prova që e ngarkojnë efektivin e policisë me veprën penale për të cilën akuzohet./albeu.com

Shtuar 4.11.2022 11:25