Vrasja e 8-vjeçarit në Fier, ministrja Bora Muzhaqi refuzon të përgjigjet mbi abuzimet me fëmijët: Jam vonë, mirupafshim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi i ka lënë pa përgjigje pyetjet e gazetarëve në lidhje me vrasjen e 8-vjeçarit në qytetin e Fierit.

Ministrja tha se në fakt ajo nuk ka asnjë lloj përgjegjësie mbi këto ngjarje.

Gazetarët këmbëngulën dhe kërkuan vetëm dy minuta kohë prej saj, por Muzhaqi u largua duke buzëqeshur teksa thoshte se ishte shumë vonë e duhej të largohej.

Pjesë nga biseda:

Gazetarja: Donim t’ju bënim disa pyetje mbi abuzimet

Bora Muzhaqi: Jam shumë vonë më duhet të lëviz

Gazetarja: Mund të përgjigjeni se dy minuta ju marrim. Kjo është përgjigjia juaj? Drejtoni një institucion…

Bora Muzhaqi: Institucioni im nëse do të kishit lexuar VKM-në që tregon përgjegjësitë e mia, do e kishit kuptuar përgjigjen time.

Gazetarja: (Nuk kuptohet mirë)

Bora Muzhaqi: Mirupafshim

Nga ana tjetër, familjarët e Mateo Vasiut, 8-vjeçarit që u vra dhe u gropos nga fqinji i tij, Klodian Çalamani janë ngritur në këmbë dhe po firmosin një peticion përmes të cilit kërkojnë varjen e 38-vjeçarit. Ata janë përplasur dhe kanë krijuar tensione në Gjykatën e Fierit ditën e sotme duke bërë që trupa gjykuese të caktojë masën “arrest me burg” pa praninë e 38-vjeçarit në sallë./albeu.com/

 

 


Shtuar 18.11.2021 12:54