Vrasja e 38 vjeçarit shqiptar në Belgjikë dhe lidhja me njerëz të botës së krimit, prokurorët belg zbarkojnë në Elbasan

Prokurorët belgë, të cilët rreth një javë në parë zbarkuan në Elbasan për vrasjen e Arjan Spahiut, kunati i vëllezërve Erjon dhe Indrit Alibej, edhe ky i fundit i ekzekutuar, janë kthyer në Bruksel me dëshmitë e 4 personave, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së 38-vjeçarit.

Burime bëjnë me dije se autoritetet belge, kanë marrë dëshminë e Erjon Alibejt, i cili ndodhet në burg, si dhe 3 të afërmve të tjerë  të Spahiut.

Burime nga prokuroria e Elbasanit bëjnë me dije për Fax news, se prokurorët belgë kanë takuar edhe përfaqësues të grupit të hetimit në vendin tonë që po hetojnë vrasjet që kanë ndodhur në 3 vitet e fundit në Elbasan, ku viktima kanë mbetur anëtarë të familjes Alibej.

Ndërkohë, sipas asaj që përfaqësues të autoriteteve belge kanë komunikuar me grupet hetimore në vendin tonë, ata besojnë se vrasja është pasojë e përplasjes së grupeve kriminale të drogës, përplasje tashmë janë kthyer në hakmarrje, ku prej vitit, 2018 nga kjo përplasje kanë humbur jetën 7 persona, 5 prej të cilëve te afërm të familjes Alibej.

Për këtë autoritetet belge vrasjen e Spahiut rreth 6 muaj më parë e lidhin si një varg hakmarrjesh ndaj kësaj familjeje, dhe një prej informacioneve që është kërkuar lidhet me hetimet që po kryhen në Shqipëri për vrasjet dhe kundërshtarët e kësaj familjeje.

Pas marrjes së dëshmive dhe mbledhjes së materialeve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së Spahiut, hetuesit belgë janë kthyer në Bruksel me shpresën për të zbardhur vrasjen mafioze. 38-vjeçari, Arjan Spahiu, banues në Elbasan u ekzekutua më 27 nëntor të 2020 me  tetë plumba në një nga lagjet më të njohura në Bruksel, në bulevardin “Edmond Machtens”, pranë lagjes se njohur Molenbeek.


Shtuar 4.05.2021 10:36