Vranë Marsel Osmanin në Korçë 5 vite më parë, shkon në 3 numri i të arrestuarve

Policia e Korçës ka arrestuar një tjetër person të dyshuar për vrasjen e Marsel Osmanit mesnatën e 29 Gushtit të 2016-s në një lokal tallavaje në Korçë.  I arrestuari Angel Miçani, dyshohet si bashkëpunëtor i pronarit të lokalit tallava ku ndodhi ngjarja, Olsi Zyberi dhe truproja i tij Llazar Dine.

Si ndodhi vrasja e Osmanit?

Në gushtin e vitit 2016, Marsel Osmani nga fshati Dishnicë shkoi në një lokal me muzikë të llojit tallava që ishte në pronësi të Olsi Zyberit. Gjithçka shkonte mirë deri në momentin që Osmani u përplas me Zyberin për një vajzë që punonte kamariere në lokalin e tij. Pas sherrit, Olsi Zyberi e ka rrahur barbarisht me hekur dhe me dru Osmanin në bashkëpunim me truprojën e lokalit, Llazar Dine dhe shokun e tij që u arrestua sot Angel Miçani.

Më pas e ka qëlluar edhe me thikë pas koke dhe më e pas e ka lidhur pas makinës duke e tërhequr zvarrë, për ta hedhur më vonë në një kanal. Osmani u gjet mëngjesin e 30 gushtit nga të afërmit e tij në një kanal pranë rrugës nacionale Korçë-Bilisht dhe u transportua në gjendje kritike në Spitalin e Traumës në Tiranë, por nuk ka mundur tu mbijetojë dot plagëve të marra dhe për pasojë ndërroi jetë 6 ditë pas ngjarjes.

Njoftimi

“Shkon në 3 numri i të ndaluarve, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016, në një lokal në afërsi të fshatit Dishnicë, ku pas një konflikti me sende të forta, gjeti vdekjen një 23-vjeçar.

Ndalohet bashkëpunëtori i tretë i kësaj ngjarjeje, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” me pasojë vdekje, kryer në bashkëpunim.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, u bë ekzekutimi i vendimit penal për ndalimin e shtetasit A. M., 33 vjeç, banues në Korçë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016, në një lokal në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë, ku pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit O. Z., dhe Ll. D., (pronari i lokalit dhe truproja), kanë plagosur me sende të forta shtetasin M. O, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen disa ditë pas ngjarjes, në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe provat e grumbulluara, rezulton se bashkëpunëtor me dy shtetasit e mësipërm (të cilët janë ndaluar më parë nga Policia) ishte edhe shtetasi A. M.

Materialet në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


Shtuar 19.03.2021 09:46