“Votojmë çdo ndryshim për diasporën”, Berisha: Po bëhen negociata për të garantuar votën e emigrantëve

Këtë të premte, gjatë konferencës me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi se është i gatshëm të votojë çdo ndryshim ligjor që i shërben votës së diasporës, duke pranuar se aktualisht ka negociata me KQZ-në për çdo akt që lidhet me votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Ismail Kadare ka një shprehje: ‘Nga lufta vijmë, në luftë shkojmë’. Unë e kam: ‘Nga mbledhja vij, në mbledhje shkoj’”, deklaroi këtë të premte Berisha.

Të gjitha mbledhjet dhe takimet e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, me deputetët dhe kryetarët e degëve kishin sot në fokus votën e diasporës, pasi të shtunën nis procesi i regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe duan të votojnë më 11 maj.

“Di që janë në negociata. Di që po zhvillohen negociata. Kemi shpallur publikisht se kërkesat e arsyeshme që shkojnë në favor të transparencës dhe mundësisë së votës së diasporës do të miratohen nga ne, qoftë edhe në rast se do të duhen ndryshime të tjera ligjore”, deklaroi kreu i PD-së.

Gjatë mbledhjes me deputetët demokratë, Berisha u bëri apel që të punojnë për të sensibilizuar diasporën për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit, duke kritikuar ligjvënësit e PD-së se deri tani puna e tyre ka qenë modeste.

“Grupi parlamentar duhet të koordinojë çdo takim të mundshëm me emigracionin. Secili nga ne duhet të shtojë 3 vota nga diaspora”, përfundoi Berisha.

Partia Demokratike, ka ngritur një qendër dixhitale për të ndihmuar çdo emigrant të regjistrohet, si dhe ka hapur një faqe ku çdo emigrant mund të marrë informacione dhe mund të kërkojë asistencë për procesin e regjistrimit, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Drejtuesja politike për diasporën është Jozefina Topalli, por Berisha vuri në dukje se çdo deputet dhe çdo drejtues i PD-së duhet të zhvillojë takime jashtë vendit, duke theksuar se pesha elektorale e diasporës është e barabartë me atë të votuesve brenda vendit.


Shtuar 10.01.2025 15:54