Një 23-vjeçar, i cili vodhi targat e 12 automjeteve, të cilat dyshohet se do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin nga shtetas të tjerë, për veprimtari kriminale, është arrestuar nga policia e Tiranës.
Në kuadër të operacionit të koduar “Plate number”, u bë arrestimi i shtetasit J. L., 23 vjeç, banues në Pogradec, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.
Ai u kap në flagrancë duke vjedhur targat e një automjeti, në “Misto Mame”.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, po gjatë ditës së djeshme, ka vjedhur targat e 11 automjeteve të ndryshme, në zonën e Yzberishtit, Misto Mames dhe të Kombinatit.
Nga veprimet hetimore dyshohet se targat e vjedhura do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin nga shtetas të tjerë, për veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 targa të shteteve të ndryshme, të vjedhura.
Vijon puna për dukumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/