Vodhi makinën në Durrës dhe e braktisi në Lezhë sapo pa policinë, arrestohet 30-vjeçari

Policia ka arrestuar një 30-vjeçar, i cili më datë 8 gusht kishte vjedhur një makinë tip “GLK” në Durrës dhe ishte larguar me të në drejtim të Lezhës. Mbrëmjen e djeshme u konstatua nga policia me mjetin e vjedhur në Lezhë, por i riu sapo ka parë makinën e policisë, e ka braktisur mjetin dhe është larguar duke humbur gjurmët.

Policia njofton sot se i riu është arrestuar.

Gjithashtu është arrestuar dhe një 26-vjeçar që vodhi ditën e djeshme, automjetin e një tjetër shtetasi.

Të dy mjete janë sekuestruar.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”, për kapjen dhe vënien në pranga të 2 autorëve të disa vjedhjeve.

✅Vodhi një automjet dhe lëvizi me të drejt Lezhës ku sapo konstatoi patrullat e Policisë së qarkut (që ishin sinjalizuar për kapjen e tij), e braktisi automjetin dhe u largua, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari.

I arrestuari, autor i disa vjedhjeve të tjera, në biznese të ndryshme.

✅Në pranga dhe një 26-vjeçar që vodhi ditën e djeshme, automjetin e një tjetër shtetasi. Sekuestrohet automjeti i vjedhur.

Si rezultat i punës së mirëfilltë hetimore dhe operacionale të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë e Lezhës, për zbardhjen e vjedhjes së një automjeti që u gjet në Lezhë, më datë 11.08.2023, është finalizuar operacioni policor i koduar “Sinjali”, në kuadër të të cilit është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi L. F., 30 vjeç, banues në Durrës.

30-vjeçari, më datë 08.08.2023, ka vjedhur automjetin e shtetasit M. B, dhe është larguar me të, në drejtim të Lezhës. Menjëherë pas marrjes së denoncimit për këtë vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën dhe kanë siguruar informacion mbi lëvizjet e automjetit të vjedhur. Pas koordinimit me Policinë e Lezhës, automjeti i vjedhur u gjet në fshatin Gjormë, ndërsa shtetasi L. F., i kapur në Durrës, në kuadër të operacionit “Sinjali”, mundi t’iu largohej shërbimeve të Policisë së Lezhës, duke përfituar nga kushtet e errësirës.

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Gjithashtu, në vijim të operacionit policor të koduar “Sinjali”, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të shërbimeve të Policisë, pas kallëzimit të shtetasit E. T., se ditën e djeshme, i kishin vjedhur automjetin, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga menjëherë pas kryerjes së vjedhjes, shtetasi F. L., 26 vjeç, banues në Durrës, si dhe u sekuestrua automjeti i vjedhur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 12.08.2023 13:06