Kryetari i PD-së në degën e Vlorës Atird Hoxha thotë se përmbytjet e fundit që kanë goditur qytetin kanë sjellë pasoja të rënda për shumë familje dhe pronat e tyre.
DEKLARATË E KRYETARIT TË PD DEGA VLORË
Të dashur qytetarë,
Fatkeqësisht, këto ngjarje të rënda dhe të përsëritura janë pasojë e mungesës së investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën urbane dhe planifikimin afatgjatë nga ana e bashkisë dhe qeverisë së Rilindjes.
Qyteti nën ujë, është një tregues i qartë i papërgjegjshmërisë në menaxhimin e tij.
Përfundimisht, kjo qeveri, ky model nuk kanë më turp e cipë dhe nuk duan të dinë më për qytetin e qytetarët.
Mungesa e energjisë elektrike në të gjithë qytetin për orë të tëra ka përkeqësuar gjendjen në shumë zona për shkak të mosfunksionimit të sistemeve.
Drejtuesit e institucioneve duke filluar nga Kryetari i Bashkisë Vlorë Dredha i II në rehatinë e tyre e pritën të pushoi shiu dhe u jepnin urdhra punonjësve që i lanë në mëshirë të fatit, pa mjete me rrogë qesharake, ndërkohë që rrogat e tyre i shtuan i bënë miliona.
Sot me siguri do ti shihni tek nxitojnë të hedhin foto me punonjës e makina, duke na treguar se po punojnë për rikthimin e normalitetit.
Një popull që paguan taksa për zyrtarët që e drejtojnë por që mbytet nga keqqeverisja për 30 minuta, është një popull i vjedhur në mënyrë kriminale dhe i përbuzur nga arroganca dhe cinizmi.
Vlora dhe vlonjatët nuk e meritojnë këtë.
Në këto kushte Partia Demokratike Dega Vlorë i bën thirrje Prokurorisë të nisi menjëherë hetimin për situatën e krijuar në qytetin tonë pasi është e qartë se nevoja për masa paraprake dhe efektive nuk është përmbushur, duke lënë qytetin të pambrojtur e në mëshirën e fatit.