Vllaznia-Skënderbeu, finalja e Kupës së Shqipërisë

Një finale që nuk pritej teorikisht. Dy skuadrat më pak të favorizuara thyejnë parashikimet dhe shkojnë në finale e Kupës së Shqipërisë. Janë Vllaznia dhe Skënderbeu që kualifikohen pasi dolën triumfues në duelet direkte me eliminim ndaj Laçit dhe Teutës, me këto të dyja që ishin ekipet e favorizuara për t’u kualifikuar.

Në “Loro Boriçi”, brenda pak ditësh përballeshin të dyja ekipet Vllaznia-Laçi dhe sërish ekipi shkodran ia del më mire teksa kësaj radhe arrin finale e Kupës me fitoren 1-0. Një pjesë e parë tepër interesante ndryshe nga ajo e fundjavës në kampionat me shkodranët që u paraqitën më të rrezikshëm dhe në 22’ festuan avantazhin. Pas një harkimi nga këndi nga ana e Da Silvës, sulmuesi Ardit Hoxhaj, godet saktë me kokë, duke kaluar në avantazh shkodranët.

Pjesa e dytë nis sërish më mire për Vllazninë që humbasin disa raste flagrante ndërsa Laçi nis të fitojë terren por gjithsesi pa e gjetur rrjetën. Përfundon 1-0 për Vllazninë dhe pas 11 vitesh klubi shkodran rigjen një finale të Kupës së Shqipërisë.

Ndërkohë në sfidën tjetër në “Niko Dovana”, Skënderbeu bëri surprizën e madhe me një fitore 2-0 ndaj Teutës ku u vendos gjithçka në pjesën e parë. Pas vetëm 20 sekondash lojë korçarët fituan një penallti nga Mensah, teksa Meksi e shndërroi në gol. Teksa durrësakët mundoheshin të reagonin, Skënderbeu jep një goditje të fortë me golin e dytë nga Elvi Berisha në 44’ me lojtarin që feston golin me fanellën e hequr dhe harroi që ishte ndëshkuar më parë ndaj dhe kartoni I kuq ishte I logjikshëm. Me një lojtar më pak Skënderbeu gjen forcën për të ruajtur rezultatin dhe sulmeve të njëpasnjëshme të Teutës dhe në fund ia del të kualifikohet në finalen e Kupës.


Shtuar 14.04.2021 18:10