“Ta afrojmë shtetin me qytetarin” është mesazhi me të cilin Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, prezantoi mekanizmin e ri për vlerësimin e shërbimeve konsullore nga qytetarët.
Prej sot, në çdo hapësirë ku ofrohen shërbime konsullore, pranë sporteleve ku kryhen procedurat dhe në sallat e pritjes, si edhe në Ministri, përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat shqiptare, qytetarët do të gjejnë një QR Code. Përmes skanimit të tij, ata mund të plotësojnë një formular dhe të japin vlerësimin e tyre.
Të lidhura
None found
Sipas Hoxhës, kjo mundëson që qytetarët të ndajnë përshtypjet për shërbimin, të ngrenë problematikat apo vërejtjet e tyre dhe të propozojnë mënyra se si procedurat mund të kryhen ndryshe, më mirë dhe më shpejt.
“Një skanim i thjeshtë do t’u japë qytetarëve mundësinë të na tregojnë përvojën e tyre me shërbimin, të evidentojnë çfarë nuk shkon dhe të na sugjerojnë se ku duhet të ndërhyjmë”, deklaroi ministri në një videomesazh.
Hoxha e përshkroi QR Code-in si një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi mes qytetarit dhe institucionit, i cili do të ndihmojë në identifikimin e mënyrave për përmirësimin e shërbimit.
“Na thoni çfarë nuk funksionon dhe na këshilloni se çfarë mund të bëjmë më mirë; ne do të punojmë për ta përmirësuar. Shërbimi konsullor nuk është vetëm një procedurë administrative, por një pikë takimi mes shtetit dhe qytetarit. Në këtë marrëdhënie, shteti duhet të jetë i shpejtë, i thjeshtë, i aksesueshëm, profesional dhe i përgjegjshëm”, u shpreh Hoxha.
