“Vjosa Park Kombëtar”, Binaj: U rrita në atë lumë, shpullë kush shkon pas politikës

Aktori i njohur Florjan Binaj është pjesë e nismës për kthimin e Vjosës Park Kombëtar. I ftuar në “ABC Live” Binaj ka treguar se shumë njerëz i janë bashkuar peticionit, ndërsa tregoi se si është përfshirë në këtë nismë që ka marrë zë edhe jashtë kufijve.

“Përfshirja ime është se unë jam rritur në atë lumë. Gjëja tjetër është se duke qenë dashamirës i natyrës. Ne s’kemi pse të bëjmë një mrekulli sepse na e kanë trashëguar dhe të parët tanë. Këtu dalin ca njerëz dhe thonë hë se nuk ka ndikim në natyrë. Dhe kjo puna e aeroportit nuk është rastësi që po bëhet në një zonë të pyllëzuar që i kupton dhe budallai i çdo lagjeje”, tha Binaj.

Aktori shprehu dhe revoltën ndaj tyre që janë indiferentë kur bëhet fjalë për mjedisin, por “simpatizantë” të flaktë për çështje partish.

“I kemi përdorur lumenjë si kosh plehrash. Interes ka pafund edhe nga ta që nuk janë tipa të natyrës as tipa të lumenjve. Të gjithë janë duke firmosur dhe fakti që e bën Leonardo Dicaprio. Eshtë me ua fut në shpullë të gjithë atyre që shkojnë pas politikës dhe jo pas natyrës. Njerëzimi ka mbijetuar dhe pa korent”, shtoi Binaj.

Zë kauzës së Vjosës i ka dhënë edhe aktori i mirënjohur Leonardo Di Caprio përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram ka reaguar për të disatën herë në kuadër të mbrojtjes së lumenjve të egër nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla.

Dy dhjetëvjeçarët e fundit, lumi i Vjosës, i cili rrjedh nga malet e Pindit në Greqi, është vënë në rrezik nga projektet e dhjetëra hidrocentraleve të planifikuara në përrenjtë apo dhe vetë shtratin e tij–ndër më kërcënuesit sipas shoqatës mjedisore EcoAlbania janë hidrocentrali i Poçemit dhe ai i Kalivaçit. Në rrjedhën e lumit Vjosa, i konsideruar i fundit lum me rrjedhë të lirë në Evropë, jetojnë rreth 1,100 specie, të cilat mund të zhduken nëse në lum ndërtohen diga. Për këtë një grup ekspertësh vendas dhe të huaj kanë rekomanduar që zona të shpallet Park Kombëtar./Abcnews.al