Vjosa Osmani vizitë dyditore në Kroaci, pritet me ceremoni shtetërore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar dje për në Kroaci për një vizitë zyrtar dyditore me ftesë të homologut të saj kroat. Osmani përveç Zagrebit, do të vizitoj edhe Karllovacin dhe Rijekën, thuhet në njoftimin e presidencës kroate.

Ajo është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidenti Zoran Milanoviq.

Gjatë qëndrimit të saj në Kroaci, ndër të tjera e para e vendit do të takohet edhe me pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në Kroaci.

Sipas njoftimit, udhëheqësit e të dyja shteteve do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në veri të Kosovës dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore.

“Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”, thuhet në njoftimin e presidencës.

“Presidenti Milanoviç tashmë u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Dhe në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, presidenti Milanoviç theksoi se Kroacia mbron njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve.”, përfundon njoftimi i presidencës.

Ndërkaq, Presidentja Osmani është shprehur e lumtur që po e nis këtë vizitë. “E lumtur që filloj vizitën time zyrtare në Republikën e Kroacisë, një nga aleatët më të vendosur të vendit tonë”, ka shkruar presidentja në X.


Shtuar 10.10.2023 10:55