Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë dy data për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore. Ajo thotë se zgjedhjet duhet të mbahen dhe ky vendim nuk mund të ndryshohet. Data 18 dhjetor është më e mundshmja për t’u mbajtur zgjedhjet në katër komunat e Veriut, ku janë dorëhequr kryetarët e tyre, që vinin nga Lista Serbe. Presidentja Osmani, pas konsultimit me partitë politike, u është drejtuar në veçanti qytetarëve serbë, duke u thënë se mbajtja e zgjedhjeve atje është e obliguar, pas largimit të kryetarëve dhe kjo nuk është çështje dëshire.
“Dua t’i sigurojë të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues, që ka lindur nga akti i dorëheqjes së kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire. Assesi nuk është vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër. Janë shqyrtuar të gjitha mundësitë”, tha Osmani.