Presidenti i Shqipërisë ka shkuar në Kosovë për një vizitë dy ditore.
Në agjendën e sotme Begaj duhet të takohej edhe me kreun e LDK-së ku ka pasur edhe një pakënaqësi nga ana e LDK-së.
Bajram Begaj donte që të takohej me ta në Kuvend, ndërsa kreu i LDK-së nuk ka pranuar pasi dëshironte që ai ta takonte në selinë e tij.
LDK ka shprehur keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me presidentin e ri të Shqipërisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët insitucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeminisrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qëndrore të saj”, thuhet në përgjigje.
LDK e konsideron qasje të pazakontë refuzimin e Begajt për t’i takuar drejtuesit në zyret e partisë.
“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”, thuhet tutje.
Begaj po qëndron në Kosovë në vizitën e tij të parë jashtë vendit. Ai është pritur dje nga Osmani, Kurti e Konjufca, ndërsa sot është takuar edhe me drejtuesit e PDK-së dhe AAK-së.