Vijon operacioni “Fijet”, çmontohen kamera të tjera spiune në qarkun Korçë

Policia vijon me operacionin Fijet dhe ka çmontuar 7 kamera të tjera në qarkun Korçë, duke e çuar numrin e tyre në 61 deri më tani.

Gjithashtu, u konstatua instalimi i kamerave të tjera, nga një shtetas në hetim, të cilit më parë Policia i kishte çmontuar 10 kamera të vëna në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policise:

Qarku Korçë/Vijon zbatimi i planit operacional policor të koduar “Fijet”, të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Çmontohen 7 kamera të tjera dhe iniciohen hetimet për 4 shtetas.

Në këtë qark, deri më tani, janë çmontuar gjithsej 61 kamera dhe janë iniciuar hetimet për 24 shtetas.

Gjithashtu, u konstatua instalimi i kamerave të tjera, nga një shtetas në hetim, të cilit më parë Policia i kishte çmontuar 10 kamera të vëna në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Shërbimet e komisariateve të Policisë Maliq, Devoll dhe Pogradec, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, kanë organizuar punën me qëllim evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

Në Maliq, Bilisht dhe Pogradec, u konstatuan dhe u çmontuan në total, 7 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjet e vendit. Për këto raste, u iniciuan hetimet për shtetasit E. D., A. B. dhe S. H. dhe N. Ll., me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përdorimit të informacionit të siguruar nga këto kamera.

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në kuadër të kësaj faze, rezultoi se shtetasi N. Ll. (babai i shtetasit E. Ll., të shpallur në kërkim për vrasje) është përsëritës për montimin e kamerave në kundërshtim me ligjet e vendit. Më parë, janë çmontuar 10 kamera të cilat dyshohet se kontrolloheshin nga shtetasi N. Ll.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 14.02.2023 14:09