Vijon largimi i afganëve nga Kosova, një tjetër grup transferohet për në SHBA

54 shtetas afganë që ishin strehuar në Kosovë janë transferuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka njoftuar se këto hapa janë ndërmarrë në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë.

Kjo lëvizje është në vijim të marrëveshjes, e cila parashikon se afganët do të qëndronin në Kosovë përkohësisht, deri në plotësimin e dokumentacionit për të shkuar në SHBA.

“Sot ju uruam lamtumirë 54 miqve tanë afganë, të cilët sot herët në mëngjes u larguan nga Prishtina për në SHBA. Patëm kënaqësi që t’i mirëpritnim këtu dhe t’ju tregonim mikpritjen e vendit tonë. Po punojmë pandërprerë me partneren tonë, @USEmbPristina që mysafirët nga kampi Liya të mund të largohen nga Kosova dhe t’ia fillojnë jetës së re. Ju urojmë gjithë të mirat dhe shpresojmë të dëgjohemi sërish me ta”, thuhet në njoftim./albeu.com/