Vidhet energjia nga prodhimi i kriptovalutave, baza kryesore është Durrësi

Në fund të muajit qershor, Policia e Shtetit njoftoi se në një operacion të zhvilluar në qarkun e Fierit procedoi disa shtetas që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një strukture për prodhimin e kriptovalutave, me akuzat për “Mashtrim kompjuterik”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Në fakt, ligji në Shqipëri nuk e ndalon prodhimin e kriptovalutave. Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) e kanë bërë të qartë se ligji i vitit 2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” rregullon vetëm subjektet që ofrojnë shërbime të lidhura me tregtimin e kriptovalutave, por jo prodhimin e tyre (mining). Megjithëse prodhimi në vetvete nuk përbën krim, aktivitetet e lidhura me të, siç mund të jenë kontrabanda e pajisjeve, evazioni fiskal dhe sidomos vjedhja e energjisë elektrike po marrin përmasa të mëdha dhe sipas ekspertëve të fushës rastet e zbuluara deri tani janë vetëm maja e ajsbergut.

Sipas ekspertëve të teknologjisë së informacionit që kontaktohen shpesh nga individë apo grupe që kanë qëllime të tilla, mendohet se baza kryesore ku bëhet prodhimi i kriptovalutave nëpërmjet vjedhjes së energjisë elektrike është qarku i Durrësit. Grupet që ushtrojnë këtë aktivitet në përgjithësi shfrytëzojnë lidhjet dhe ryshfetet tek individë me pushtet në zonat përkatëse, ndonjëherë edhe punonjës apo drejtues të Furnizuesit të Shërbimit Universal të energjisë elektrike.

Besmir Semanaj, inxhinier elektronik dhe ekspert i sigurisë së informacionit thotë se aktualisht në Shqipëri janë të lidhura disa mijëra pajisje për prodhimin e kriptovalutave.

“Në Shqipëri prodhimi i kriptovalutave nuk do të ishte një aktivitet i leverdisshëm, sepse energjia që konsumon prodhimi ka një kosto shumë të lartë. Në Shqipëri sot ka shumë persona që bëjnë mining të kriptovalutave, por fatkeqësisht pjesa më e madhe e tyre nuk e paguajnë energjinë elektrike dhe e marrin atë në mënyrë të jashtëligjshme. Ka njerëz, madje edhe kompani që njoh, të cilët, duke përdorur njohjet e tyre, marrin energji elektrike nga sistemi i shpërndarjes pa e paguar,” thotë z.Semanaj.

Sipas tij, mbështetur në informacionet mbi numrin e madh të subjekteve që po angazhohen gjithnjë e më shumë në prodhimin e kriptovalutave, humbjet në rrjet mund të rriten shumë në vitet e ardhshme.

Sipas të dhënave nga Instat, për tremujorin e parë 2021 humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike arritën në 23.6% të totalit të energjisë së konsumuar, nga rreth 19.2% që kishte qenë ky tregues për vitin 2020. Në veçanti, humbjet joteknike arritën në 8.3%, nga 6.9% që kishin qenë vitin e kaluar. Në mungesë të analizave lidhur me rritjen e nivelit të humbjeve në rrjet, mund të hipotizohet se prodhimi i kriptovalutave mund të jetë bërë një faktor.

Përdorimi i energjisë elektrike për të prodhuar kriptovaluta është bërë sot një shqetësim i madh ekonomik dhe mjedisor, sepse energjia e përdorur për t’i prodhuar ato sot është më e madhe se sasia e energjisë që mund të konsumojnë shtete të veçanta të botës. Sipas një studimi nga Qendra e Kembrixh për Financën Alternative, Bitcoin konsumon rreth 110 teravat energji në vit. Kjo sasi është e barabartë me rreth 0.55% të prodhimit global vjetor është e barabartë me gjithë konsumin energjetik të shteteve si Suedia apo Malajzia. Nëse konsumi i Bitcoin do të futej në renditjen e energjisë së konsumuar nga shtetet, ai do të renditje në vendin e 29-të, nga 196 vende të botës./ Monitor


Shtuar 14.07.2021 08:30