VIDEO+FOTO/ Garda u mbylli derën, Flamur Noka dhe të tjerët futen nga dritarja në Kuvend

Pasi Garda nuk lejoi futjen e deputetëve të përjashtuar të PD-së në Kuvend, Flamur Noka, Bledian Nallbati dhe Ervin Salianji kanë mundur të futen fillimisht brenda rrethimit dhe më pas përmes dritares në sallën e Komisionit të Ligjeve.

Siç duket nga fotot e mësipërme, Noka është ndihmuar nga kolegët Lefter Gështenja dhe Saimir Korreshi për t’u ngjitur nga dritarja në njërën prej sallave të Kuvendit.

 

Pse ky tension

Dita e sotme ishte planifikuar me një axhendë të ngjeshur në komisione. Në rendin e ditës janë parashikuar mbledhja e 5 komisioneve parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë është projekt-buxheti i vitit 2024.

Për shkak se opozita ka vendosur të bllokojë komisionet, PS vendosi që mbledhjet të zhvillohen online.

Për shkak të përplasjeve, janë në total 8 deputetë të opozitës të përjashtuar nga punimet e Kuvendit.

Të premten, e 3 nentorit u përjashtuan me 10 ditë Ervin Salianji që ndezi tymuese rozë e mavi në seancë plenare, Petrit Doda dhe Edmond Spaho, ndërsa pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi.

/albeu.com

 

 


Shtuar 6.11.2023 11:01