Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Pogradec, ku një 37-vjeçare në muajin e 7 të shtatzënisë humbi jetën. Bëhet fjalë për Marjana Karolina Bunaj, e cila ndërroi jetë teksa po transportohej drejt Tiranës për ndihmë të specializuar mjekësore.
Motra e të ndjerës, Albina Mekolli, e cila e ka shoqëruar Marjanën gjatë gjithë qëndrimit në maternitet, ka rrëfyer mes lotësh momentet e vështira që paraprinë humbjen e saj.
Të lidhura
None found
Ajo tregon se gjithçka nisi kur 37-vjeçarja e telefonoi të motrën për shkak se kishte dhimbje të forta barku.
“Në orën 12 më merr në telefon dhe më tha: Eja se kam dhimbje të forta barku. Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë. Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka një gjakderdhje të brendshme. Ajo tha se duhet ta cojmë direkt për Tiranë.
Dëgjova që po thoshin duhet të vijë helikopteri. Më pas ajo tha se nuk kam cfarë t`i bëjmë këtu, duhet ta çojmë sa më parë.
Më pas erdhën mjekët e reanimacionit të spitalit të Pogradecit. Ajo thoshte duhet ta çojmë sa më shpejt. E çuan në reanimacion, edhe aty pati ca vonesa të tjera. Në orën 4 të mëngjesit e nisën me ambulancë dhe ajo kishte dhimbje gjatë gjithë kohës”, tregoi e motra.
Sipas motrës së 37-vjeçares vonesat për t`u nisur drejt Tiranës kanë qenë humbje kohe.
“Unë po i thosha që ta cojmë sa më shpejt, pastaj morën një infermier. Morëm ambulancën dhe e nisëm drejt Tiranës. Mendoj se motra do kishte shpëtuar, sikur gjysmë orë para të ishim nisur për në Tiranë”, tha ajo duke bërë apel për drejtësi që të zbardhet e vërteta.
Sipas familjarëve, bashkëshorti i 37-vjeçares ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm tre ditë para ngjarjes, me synimin për të realizuar bashkimin familjar.
