VIDEO/ Dy komisarë dhe dy inspektorë, momenti kur arrestohen anëtarët e grupit që trafikonte emigrantë! Një kontratë 5000 euro

Janë publikuar pamjet e operacionit i cili çoi në pranga 24 persona. Të arrestuarit ishin pjesë e një grupi kriminal, që jepte ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri për emigrantë nga vendet e treta.

Pamjet ku shihet momenti i arestimit të disa prej anëtarëve të grupit i ka publikuar ministri Taulant Balla.

Operacioni “All In”

24 persona u arrestuan dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim me urdhër të SPAK, mes të cilëve 4 efektivë policie dhe biznesmenë të ndryshëm, grup i strukturuar kriminal që trafikonte emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Largët.

Operacioni i policisë për ekzekutimin e urdhër-arresteve u shtri në disa qytete të vendit, Vlorë, Kukës, Fier, Durrës dhe Tiranë me 19 masa “arrest në burg”, 3 në “arrest shtëpie”, 2 “detyrim paraqitje” dhe 2 të tjerë shpallur në kërkim. Në një konferencë për shtyp, kryepolici Muhamet Rrumbullaku dha detaje të sekuestrimeve të bëra në aksion, mes të cilave një sasi para cash që kap vlerën e 1 milion eurove.

Në funksion të operacionit për ekzekutimin e masave të sigurimit personal, gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë së Shtetit, janë gjetur dhe sekuestruar: 13 automjete të markave të ndryshme, 50 telefona, 3 pistoleta, 1 çifte, 50 fishekë, 4 laptopë, 5 kompjuterë, 520 000 lekë, 400 000 euro, 700 000 dollarë amerikanë, 4000 paund, doza kokaine dhe cannabisi, dhjetëra dokumente të ndryshme.

Në hetimet që kanë zgjatur për rreth një vit, pesë subjekte private tregtare u zbulua se siguronin kontrata pune fiktive për shtetas kryesisht nga Bangladeshi dhe vijonin me aplikimin për vizë deri në pritjen e tyre në Rinas dhe e gjitha kjo bëhej përkundrejt pagesës 5000 euro.

Por, çfarë bëri policinë të nis hetimet për këtë operacion?

Gjatë vitit 2023, nga struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit, u konstatua rritja e numrit të shtetasve të pajisur me leje qendrimi dhe leje pune, të kapur në tentativë për t’u larguar drejt vendeve të tjera, qoftë në veri të vendit, por edhe në kufirin jugor me Greqinë.

Nga hetimet rezultoi se 26 të përfshirët kishin role të ndryshme në aktivitet, edhe punonjësit e policisë të arrestuar, Altin Hasani, Edmond Braja, Arjel Hoxha, Ermal Hoxha, të cilët në fakt duhej ta parandalojnë dhe godasin. Ata kanë përfituar para, shfrytëzonin nevojën e të huajve që ishin në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa bizneset në pronësi të disa prej të hetuarve, u vunë në dispozicion të aktivitetit kriminal.

Hetimi i shërbeu edhe nismës së Policisë së Shtetit për vetëpastrimin e radhëve të saj nga elemente të përfshira në aktivitete kriminale, ndërsa në operacion u angazhuan 380 forca policie dhe 60 automjete të strukturave për hetimin e grupeve kriminale, atyre të sigurisë publike dhe të forcës së posaçme operacionale. Në fund, kryepolici Rrumbullaku u prononcua edhe për atë që ai e quajti “bashkëpunim i ngushtë me SPAK”.

Përtej çdo dyshimi, që u ngrit padrejtësisht gjatë ditëve të fundit, procedimi penal i sipërpërmendur dhe operacioni i sotëm, i zhvilluar nga Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, është dëshmi e qartë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe kësaj Prokurorie.

Emigrantët e lindjes shfrytëzojnë Shqipërinë për të kaluar në vendet e Bashkimit Evropian, por për të arritur qëllimin e tyre provojnë çdo taktikë, qoftë edhe lidhja e kontratave false me biznese vendase.

SPAK informon se gjatë kontrolleve, janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale, sende të kundraligjshme apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, konkretisht 700.000 (shtatëqind mijë) Dollarë Amerikan, 400.000 (katërqind mijë) Euro, 4 000 (katër mijë) Pound, 520.000 Lekë, 13 makina, 3 pistoleta, aparate celularë dhe pajisje kompjuterike, si dhe dokumenta të ndryshëm si pasaporta të shtetasve të huaj, bileta udhëtimi, apo dokumenta që përmbajnë shënime të grupeve kriminale, si dhe sende të tjera me interes për hetimin.

Policët në hetim dhe të arrestuar

1- Komisar Altin Hasani, Specialist per Sektorin per te Huajt  ne Departamentin per Kufirin dhe Migracionin ne  DPPSH – I arrestuar

2- Komisar Edmond Barha shef seksioni per migracionin e parregullt ne Drejtorine per Kufirin dhe Migracionin Tirane – I arrestuar

3- Inspektor Ariel Hoxha punonjes policie ne Kom Pol Kufitare Rinas  – me mase sigurie arrest ne shtepi.

4- Inspektor  E.H. punonjës policie në Kom Pol Kufitare Rinas  Detyrim me paraqitje

5-  Endri Seiti
6- Luan Tafalla,
7- Endrit Ismailaj,
8- Arnol Shpata,
9- Xhuljeta Çopa,
10- Artur Mata,
11- Antonio Specchio,
12- Artan Sulaj,
13- Luan Sulaj,
14- Shkelzen Matmuja (Bokciu),
15- Bukurosh Muja,
16 – Lulzim Lami,
17- Tome Preka,
18- Xhulio Krasniqi,
19- Edmond Baklli,
20 – Iglan Alliçi,
21- Emmanuel Ella./albeu.com