VIDEO/ Dy kampera luksozë plot me drogë, pamjet e operacionit në Vlorë, ku ishte fshehur lënda narkotike

Policia e Vlorës ka publikuar pamjet e operacionit të koduar “Camper” në kuadër të të cilit ranë në pranga 4 shtetas rumunë.

Të arrestuarit janë Marius Cimpeanu, Mihaela Cimpeanu, Florin Tucan dhe Andreea Pislaru.

Sipas policisë, operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit.

Katër shtetasit rumunë u kapën duke transporuar një sasi prej  260 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, me 2 automjete luksoze të tipit “Camper”, me targa rumune, me qëllim trafikimin e kësaj lënde në shtetin grek e më tej.

Gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, në tentativë për të dalë nga territori shqiptar, u gjetën të fshehura në një ndarje të fshehtë dhe të përshtatur artificialisht, në automjet, një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike.

Vendet e fshehta të përshtatura u zbuluan në të dy CAMPERAT e sekuestruar.

Policia ka shpallur gjithashtu 5 persona në kërkim si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por për arsye hetimi të dhënat e tyre nuk bëhen publike.

Si funksiononte grupi

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, për llogari të disa bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, tashmë të shpallur në kërkim, kamufloheshin si turistë, duke marre me qera campera luksozë, dhe të ndarë në dy çifte kryenin trafikimin e lëndës narkotike nga vendi ynë për në Greqi dhe më tej.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të bashkautorëve të tjerë shqiptarë tashmë të shpallur në kërkim nga Policia./Albeu.com/.


Shtuar 13.03.2023 19:24