Gazetari Miliam Zeka hodhi një hipotezë të re në lidhje me vjedhjen e mijërave eurove në banesën e zyrtares së lartë Alda Klosi, nga sanitarja Rozeta Dobi.
Zeka tha se si gazetar hulumtues nuk e beson që një sasi aq e madhe parash të jetë një vjedhje e rëndomtë. Ai theksoi se mund të ketë një bashkëpunim mes zyrtares dhe sanitares për fshehjen e parave.
Ai theksoi se lidhjen mes Rozeta Dobit dhe Alda Klosit pritet ta zbardhin organet ligjizbatuese përmes hetimeve në lidhje me rastin.
“Unë si gazetar që jam marrë gjithë jetën me gazetari hulumtuese kam pak dyshim që nuk mund të quhet puro vjedhje, mund të jetë bashkëpunim mes ish-shefes së kabinetit dhe zonjës në fjalë.
Nuk është e mundur të vidhet gjithë ajo sasi parash në një shtëpi private dhe të bëhet denoncimi kaq vonë. Çfarë matematikash ka në mes të kësaj që ne e quajmë hajdute dhe ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetaj do të zbardhet në të ardhmen. Unë mund të them se mund të ketë një bashkëpunim për fshehjen e parave. Paratë nuk mund të amnistoheshin në asnjë variant, pasi është banka ajo e cila nuk pranon para kesh në vlerë mbi 10 mijë euro pa patur një dokument”, tha Zeka për Euronews.