Vendimi i Kushtetueses për Teatrin, Veliaj: Gjykata na dha të drejtë neve!

Pas vendimit të gjykatës Kushtetuese për Teatrin Komvëtar, ka reaguar kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në Twitter.

Veliaj ka shpallur fitoren, duke thënë se Gjykata i dha të drejtë Bashkisë dhe se tani do të ecin përpara me ndërtimin e godinës së re.

“Tani të ecim përpara e të ndërtojmë shtëpinë më të madhe e moderne të Teatrit në Ballkan, boll humbëm kohë me histeri, si me çdo projekt të madh!

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës, lë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar”, shkruan Veliaj.

 

Kujtojmë se sot Gjykata Kushtetuese vendosi:

Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese./albeu.com


Shtuar 2.07.2021 17:00