VENDIMI/ Edi Rama i ”rrëmben” Kosovës dy kampionet olimpike, iu gjen punë në ministri

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të punësojë në strukturat e ministrisë së mbrojtjes, dy kampionet olimpike të Kosovës në Tokio 2020.

Bëhet fjalë për Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën, të cilat u vlerësuan me medalje ari në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm.

Nuk ka informacion nëse sportistet nga Kosova do e pranojnë ofertën e qeverisë Rama, por ka dyshime se ky veprim është i qëllimshëm nga ana e Ramës, për të rritur protagonizmin e tij në të dy anët e kufirit.

Vendimi për punësimin e Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit:

PUNËSIMIN NË STRUKTURAT E MINISTRISË SË MBROJTJES TË ZNJ. DISTRIA KRASNIQI DHE ZNJ. NORA GJAKOVA, FITUESE TË MEDALJEVE TË ARTA NË LOJËRAT OLIMPIKE VERORE “TOKIO 2020”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7 e 27, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Fillimin e procedurave për punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes të znj. Distria Krasniqi dhe znj. Nora Gjakova, fituese të medaljeve të arta në Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020”, për performancën e shkëlqyer në arenën ndërkombëtare sportive, për përfaqësimin dinjitoz, nëpërmjet një arritjeje mbarëkombëtare suksesi dhe talenti të sprovuar.

Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./albeu.com