Duke nisur nga sezoni i ardhshëm, Marco Reus nuk do të jetë më kapiteni i Borussia Dortmund.
Sulmuesi anësor heq dorë nga fasha e kapitenit pas pesë vitesh si lider i grupit verdhezi, teksa vetë lojtari njoftoi vendimin e tij nëpërmjet një reagimi në kanalet zyrtare të klubit ku iu drejtua të gjithë tifozëve të Borussia Dortmund. Reus theksoi se kndjehet krenar për faktin se ka mbajtur shiritin e kapitenit në një klub si Dortmund ndërsa u shpreh i bindur se drejtuesit do identifikojnë një “trashëgimtar” të denjë.
“Të dashur tifozë të Dortmund, për mua është shumë e rëndësishme që ta bëj këtë njoftim. Gjatë pushimeve pata kohën e nevojshme për të reflektuar dhe kam vendosur të heq dorë nga shiriti i kapitenit. Ditën e enjte ia komunikova këtë vendim trajnerit Edin Terzic dhe drejtorit sportiv, Sebastian Kehl. Për pesë vite kisha nderin të isha kapiten i Dortmund, jam shumë krenar për këtë.
I falenderoj të gjithë për mbështetjen dhe jam i sigurt se trajneri dhe drejtori do të zgjedhin një pasues të denjë”, u shpreh Reus. Kujtojmë se 34-vjeçari është pjesë e Dortmund prej vitit 2012 dhe me një kontratë që skadon në vitn 2024, me shumë mundësi Reus do të luajë sezonin e fundit me verdhezinjtë dhe do ta bëjë këtë pa qenë kapiten i skuadrës. /Supersport