Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj tha në një në takimin me banorët e Ndroqit, Pezës dhe Vaqarrit, se Partisë Socialiste po i bashkohen shumë demokratë sepse e kanë kuptuar se kjo forcë politik do të jetë aty edhe në ditë të vështira.
“Jam i lumtur se na janë bashkuar shumë prej atyre që, deri dje i thoshin vetes demokratë. E dini pse na janë bashkuar? Se ne në ditët e vështira, ishim aty për ta. Nëse ishte tërmet, nëse ishte pandemi, nëse ishte nevoja për tregun, nëse ishte nevoja për lidhje me autobus me Tiranën, nëse ishte nevoja për infrastrukturë – vetëm në Pezë kemi ndërtuar 4 shkolla të reja, në Ndroq 4 shkolla të tjera, në Vaqarr 2 shkolla të reja – ne ishim aty ato ditë. Ndaj, dua t’i falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar, ata që kanë qenë në parti të tjera, që kanë qenë demokratë, që kanë qenë me LSI-në, që kanë qenë me parti të vogla, sepse kanë kuptuar se partia më e rëndësishme, partia më e çmuar dhe partia më e vyer në jetën e një njeriu, është familja. E nëse Partia Socialiste ka punuar për familjen tënde, për shtëpinë tënde, për çerdhen, për kopshtin, për shkollën, atëherë një votë për familjen tënde, është vota për Partinë Socialiste dhe për skuadrën tonë që shkon vetëm përpara. Sot zgjedhjet lokale janë për fëmijët tanë! Ndaj çdo demokrati i them: Mos mendoni partitë, mendoni çunat dhe gocat tuaja. Nëse shkojnë në një shkollë më të mirë, votoni për fëmijët tuaj, se ajo votë është për Partinë Socialiste”, tha ai.
Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen e tij për këdo që në ditët e vështira të tërmetit dhe pandemisë iu gjendën pranë personave që kishin më shumë nevojë. Duke theksuar se vetëm duke bashkëpunuar punët ecin përpara.
“Imagjinoni, në qoftë se dikush ikën për 4 vjet nga detyra, sikur polici i zonës të mos dukej 4 vjet në Ndroq, Vaqarr dhe Pezë, a do ishte më polic? Nëse infermierja e zonës nuk do vinte për të bërë konsultat, vaksinat, vizitat, do ishte më infermiere pas 4 vjetësh? Po sikur zjarrfikësi i zonës, nëse 4 vjet nuk do të vinte për një fatkeqësi, a do ishte më zjarrfikës? Nëse hidrauliku i zonës, për 4 vite nuk do rregullonte ujin, a do ishte më hidraulik? Nëse një nxënës në Pezë, në Ndroq, Vaqarr, nuk do vinte 4 vjet në mësim, a do e kalonte dot klasën? Nëse një nxënës nuk vjen, jo 4 vjet, jo 4 muaj, jo 4 javë, jo 4 ditë, por 4 minuta të vonohet nga ora e mësimit, ai nxënës merr mungesë. E kemi standardin shumë lart edhe për një fëmijë të vogël, që shkon në shkollë, pse e kemi standardin kaq ulët kur për 4 vjet dikush që merret me politikë nuk vjen në Këshill Bashkiak, nuk shkon në Parlament, nuk paraqitet në zgjedhje? Ndaj ftesa ime është: Kujtoni kush ishte me ju në ditët e vështira”, tha Veliaj.
Nga kundërshtarët politikë, që janë dukur vetëm tani gjatë fushatës për të kërkuar vota, Veliaj kërkoi vetëm të thonë a kanë bërë ndonjë punë në Tiranë.
“Na thoni një shkollë që kanë bërë? Ndoshta 40 shkolla nuk mjaftojnë, ndoshta Tirana ka nevojë për 50 shkolla dhe ne jemi përgatitur edhe për 10 shkolla të reja. Por, fakti që Peza ka 4 shkolla të reja, Ndroqi ka 2 shkolla të reja, Vaqarri ka 2 shkolla të reja, unë besoj se kjo është kartëvizita më e mirë se çfarë mund të bëjmë ne kur përveshim mëngët për punë. Sot kemi përballë jo një parti – se ata s’janë as parti, ata s’kanë as emër, as numër, as logo – sot kemi përballë dy rraqe, dy vjetërsira. Njëri quhet Ilir Meta, tjetri quhet Sali Berisha. Njëri është “non grata” nga Amerika, tjetri është fuksi i lagjes, spiuni i Sigurimit të Shtetit. Alternativa jonë është një skuadër që bën shkollat, që bën kopshtet, që bën çerdhet, që bën tregun agro-ushqimor, që po mbaron Unazën e Tiranës”, tha Veliaj.