Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës, njëherësh drejtues politik i kësaj force politike për Qarkun, Erion Veliaj, gjatë takimit me banorët e Njësisë 9 në kryeqytet, tha se falë investimeve të 8 viteve të fundit e gjithë zona është transformuar.
Ai veçoi sheshin “Skënderbej”, i cili fitoi edhe çmimin europian në vitin 2018, si sheshi më i bukur, por edhe Bulevardin Zogu i Parë, me vlerën e pronës më të lartë sot në Ballkan.
“Sot, nga sheshi “Skënderbej” deri te Bulevardi i Ri, Zogu i Parë është transformuar në hapësirën numër 1 jo në Tiranë, jo në Republikë, por në Ballkan, për rritjen e vlerës së pronës falë punës, falë estetikës, falë pastërtisë, falë ndriçimit. Sheshi “Skënderbej” fitoi çmimin në vitin 2018 si sheshi më i bukur në Europë. Këta thonë: “Ta bëjmë edhe një gropë tjetër”. Nuk ka asnjë dyshim që këta ta bëjnë gropë. E pamë gropën e Hajdin Sejdisë te Sheshi “Skënderbej” për vite të tëra. Gropa në Gërdec mori 26 jetë njerëzish. Gropa të tjera si ajo te “Zogu i Zi” na kanë kushtuar miliona. Ju kujtohet nënkalimi te “Zogu i Zi”? E nisi administrata e Edi Ramës dhe Ogertës në Bashkinë e Tiranës dhe gjëja e parë që bënë këta, e prishën, këta dashnorët e nënkalimeve dhe gropave. Ju kujtohet “Astiri”, tre vjet gishtat përpjetë? Se tani nxjerrin gishtin e mesit, por në fillim nxirrnin dy gishta dhe thoshin “liri demokraci”, këtu nuk do ketë nënkalim. Sot duke filluar nga sheshi “Skënderbej” dhe deri aty ku unaza takohet me Njësinë 7, të gjitha copat, lagjet, rrugët, rrugicat kanë parë një transformimin dhe dorën e punës në këtë komunitet,” tha Veliaj.
Ai theksoi se vetëm në këtë njësi janë bërë 8 shkolla të reja, por kujtoi edhe përfaqësuesit e opozitës që penguan jo pak nga këto projekte.
“Kemi qenë në SPAK për “Sami Frashërin”. Shko në gjyq, protesto, varu te kangjellat, thoshin “do të vejë shkolla në Paskuqan”. Imagjinoni, na akuzojnë njerëz që nuk e dinë që Paskuqani është Bashki tjetër, në anën tjetër të këtij lumit. Ata ende nuk dinë ku është kufiri i Tiranës, le më të bëjnë ndonjë punë për Tiranën. Kështu që, sot, siç thonë tironsit, “kush na ka inot kështu na paftë përnot”, edhe Monika, edhe Jorida dhe të gjithë ata që protestojnë shkollat, sepse “Sami Frashëri” sot është një shkollë model,” u shpreh Veliaj.