Autoritetet portugeze kanë bërë të ditur këtë të mërkurë se po ndjekin rastin e vrasjes së 20-vjeçarit Luis Miguel Varela Mendes, shtetas portugez, i cili u gjet i pajetë në orët e para të mëngjesit të së martës në Ksamil. I riu humbi jetën pas një konflikti që dyshohet se përfundoi me përdorimin e thikës nga një 29-vjeçar.
Raquel Trindade, përfaqësuese e zyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Portugalisë, deklaroi për stacionin radiofonik portugez Renascença se Ministria e Punëve të Jashtme po monitoron ngjarjen. Ajo sqaroi se Lisbona nuk ka marrë ende informacion zyrtar mbi rrethanat e vdekjes apo mbi ndonjë hetim të mundshëm të zhvilluar nga autoritetet në Tiranë.
Të lidhura
None found
“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që vdiq në Shqipëri dhe, nëpërmjet ambasadës së saj në Romë dhe gjithashtu konsullatës së nderit në Tiranë, po bashkëpunojmë me autoritetet lokale”, u shpreh Trindade. Ajo shtoi se “për momentin” nuk dihet ende me saktësi se çfarë ka ndodhur.
“Ne e dimë nga shtypi lokal se ka pasur arrestime, por për momentin nuk kemi ende informacion përmes rrjetit tonë”, tha më tej Raquel Trindade. Sipas saj, Ministria e Punëve të Jashtme “do të vazhdojë të monitorojë atë që është e nevojshme, si me autoritetet lokale ashtu edhe me familjet”.
