Agim Aliçkaj ka reaguar ashpër pas deklaratës së deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila pyeti pse Albin Kurti po e dërgon vazhdimisht Kosovën në zgjedhje dhe kujt i shërben një vend pa Kuvend funksional dhe pa institucione legjitime.
Të lidhura
None found
Aliçkaj i ka hedhur poshtë pretendimet e saj, duke deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk ka arsye të kërkojë zgjedhje të reja, pasi, sipas tij, ka fituar tri palë zgjedhje të shkaktuara nga opozita. Ai e akuzoi opozitën se po pengon funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e vullnetit të qytetarëve, përcjell “Bota sot”.
Duke iu drejtuar Bajramit, Aliçkaj tha se ajo po përpiqet të mashtrojë vetëm veten dhe se, së bashku me grupet që i cilësoi si anti-demokratike, po bllokon shtetin dhe vullnetin e popullit. Ai shtoi se kjo qasje i ka bërë të kënaqur Listën Srpska, për të cilën, sipas tij, Bajrami ka deklaruar se “nuk ka problem”.
Aliçkaj kërkoi të dijë përse opozita nuk e pranon ofertën e Kurtit për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe jopartiak. Po ashtu, ai pyeti pse nuk propozohet një kandidat i tillë dhe pse nuk jepet zotimi se deputetët do të qëndrojnë në sallë për të votuar, siç i ka ngarkuar populli.
Sipas tij, arsyeja është se kundërshtarët politikë shpresojnë ta rrëzojnë Kurtin duke e çuar shtetin drejt kaosit. Në përfundim, ai i cilësoi ata si të mjerë dhe të dështuar, duke thënë se qytetarët nuk mashtrohen me manovra cirkusi, shpifje dhe fjalë boshe.
