Vdekja e e foshnjës pas ndërhyrjes kirugjikale, reagon QSUT: Familjarët u njoftuan për komplikacionet

QSUT ka reaguar në lidhje me vdekjen e foshnjës 9 ditëshe, Bebe Dushku, pasi iu nënshtua një operacioni.

QSUT ka deklaruar se i mituri me iniciale B.D., ka humbur jetën si pasojë e komplikacioneve që shoqërojnë anomali të rënda të sëmundjeve të zemrës tek një i porsalindur.

Sipas spitalit, familjarët e foshnjës, që kanë ngritur padi ndaj drejtoreshës së QSUT, Albana Fico, ishin të informuar mbi komplikacionet e mundshme që mund të kishte fëmija pas operacionit.

QSUT sqaron se mjekët kanë marrë aprovimin e familjarëve të foshnjës për kryerjen e ndërhyrjes.

“Familjarët janë informuar edhe përpara ndërhyrjes për komplikacionet e mundshme post operatore, për gjendjen e patologjisë së lindur dhe atë të fëmijës përpara ndërhyrjes. Mjekët kanë marrë aprovimin e tyre për kryerjen e ndërhyrjes”, thuhet në njoftim.

Deklarata e plotë:

Nisur nga disa publikime në disa media online për rastin e fëmijës B.D që fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e komplikacioneve që shoqërojnë anomali të rënda të sëmundjeve të zemrës tek një i porsalindur, shërbimi i Kardiokirurgjisë së QSUT, sqaron se:

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” çdo ditë mban mbi supe misionin jetëshpëtues për dhjetëra mijëra qytetarë që vijnë nga gjithë Shqipëria, por edhe nga trevat përreth. Ndër vite janë trajtuar me shumë sukses mbi 1300 raste të pacientëve të vegjël.

Edhe gjatë ndërhyrjes së kryer ndaj fëmijës B.D, edhe pas operacionit, përkujdesja e mjekëve ka qenë maksimale dhe i është dhënë shërbimi i nevojshëm, duke u ndjekur me shumë kujdes nga ekipi reanimator i QSUT-së.

Familjarët janë informuar edhe përpara ndërhyrjes për komplikacionet e mundshme post operatore, për gjendjen e patologjisë së lindur dhe atë të fëmijës përpara ndërhyrjes. Mjekët kanë marrë aprovimin e tyre për kryerjen e ndërhyrjes.

Ndjejmë të nevojshme të theksojmë se asnjë pjesëtar i stafit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk është kontaktuar për të dhënë shpjegime për rastin në fjalë, në mënyrë që rasti të pasqyrohej i balancuar në opinionin publik.

Ndaj, duke marrë parasysh pasaktësitë në publikimet mediatike, theksojmë se puna e këtij shërbimi kombëtar jetëshpëtues, minimumi duhet të trajtohet i verifikuar dhe duke marrë parasysh të gjitha detajet e rastit në fjalë.

Çfarë deklaroi babai i fëmijës

Babai i foshnjës ka deklaruar se djali kishte nevojë për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale pasi kishte transpozicion të enëve të gjakut.

Por ai denoncoi strukturat spitalore se nuk kishte sallë operimi për fëmijë dhe as specialistë. Gjithashtu ka pretenduar se ilaçi me të cilin duhet të trajtohej foshnja, mungonte përkohësisht.

Ndërhyrja, tregon ai, është bërë në repartin e kardiologjisë.

“Në spital mungonin ilaçet dhe aparaturat e duhura. Djali kishte transpozicion të enëve të zemrës dhe duhej ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale. Nuk kishte as sallë operimi për fëmijë, as specialistë.

Ilaçi që mund të trajtohej përkohësisht mungonte si në QSUT ashtu edhe në maternitet. Ndërhyrja djalit iu bë në repartin e kardiologjisë. Operacioni zgjati 5 orë dhe doli me sukses dhe mjeku më tha që duhet të urinonte që të pastrohej. Spitali nuk dispononte aparaturat e duhura dhe kjo solli rëndim më shumë të gjendjes së djalit. Djali ndërroi jetë në orën 05:00 të 25 gushtit,” deklaroi babai.


Shtuar 8.10.2023 20:27