Mesazhe të qarta nga eurokomisari për zgjerim, Oliver Varhei në adresë të Sofjes. Thotë se lufta në Ukrainë ka treguar se nuk guxojmë të humbim kohë kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Varhei pyeti se kur do të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe shprehu zhgënjimin e tij për mos hapjen e negociatave. Porositi se do të vijë në Sofje sa herë që do të ketë nevojë për ta zhbllokuar procesin deri në qershor.
“Kur jemi tek Sofja, ka edhe një pyetje të cilën nuk mund ta shmangim dhe ta mos përmendim – kur do të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare? Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim për arsye se ende po flasim për këtë çështje. Mendonim se e kishim mbyllur para 2 vjetëve, por tani sërish është në tavolinë”, tha eurokomisari Oliver Varhei.
Ministrja e jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska para Forumit deklaroi se futja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë duhet të bëhet para hapjes së negociatave. Të njëjtën gjë e përsëriti edhe gjatë forumit, duke theksuar se mbështetja e Bullgarisë për procesin e eurointegrimeve të rajonit nuk është pa kusht.
“Mbështetja jonë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor është kategorike, por jo edhe e pakushtëzuar. Kjo shprehet me pritjet tona se përveç orientimit gjeopolitik, për vendet-kandidate do të jetë kyçe që t’u përmbahen edhe vlerave themelore evropiane siç është fqinjësia e mirë. Me fqinjët tanë më të afërt nga Shkupi jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe kemi qëllim të përbashkët – të tejkalohen dallimet që janë krijuar nga koha e regjimit jugosllav”, tha Teodora Gençovska, ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Në Forumin në Sofje, direkt nga Berlini mbërriti edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Bujar Osmani. Ai tha se në proceset tona eurointegruese tashmë 20 vjet me radhë nuk ka asgjë të re dhe i porositi BE-së se tani është momenti që të tregojë një lidership strategjik.
“Nuk kam për të thënë asgjë të re, situata është “status kuo”. Maqedonia ende është duke pritur, 21 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, 15 vjet pas marrjes së statusit vend-kandidat dhe 13 vjet pas rekomandimeve të njëpasnjëshme pozitive nga Komisioni se i kemi plotësuar të gjitha kërkesat për start të negociatave. Ajo që është e re është se kredibiliteti i BE-së në Maqedoni po shënon ulje”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Nesër në Shkup vjen eurokomisari Varhei, kurse të enjten vendin do ta vizitojë edhe ndihmës-sekretarja shtetërore e SHBA-ve, Karen Donfrid. Pritet tema kryesore e bisedimeve të jetë integrimi i Maqedoninë në BE dhe lufta në Ukrainë./TV 21/