Vaksinohen mjekët nga Kosova në Kukës

250 punonjës shëndetësorë nga Kosova do vaksinohen Kukës për të marrë vaksinën anti Covid.

Ata do të marrin dozën kundër koronavirusit, të AstraZeneca-s, në Pallatin e Kulturës, “Hasan Prishtina”, në qytetin e Kukësit. Sot pritet që 250 mjekë dhe staf mjekësor të marrin dozën anti Covid, ndërkohë që në total do të jenë 500 punonjës nga Kosova që do të vaksinohen në Pallatin e Kulturës.

Një mjeke nga Prishtina e ka marrë dozën dhe tregon eksperiencë e saj, live në edicionin informativ në Top Channel. “Organizimi ishte shumë mirë. Jemi shumë mirënjohës për këtë vaksinën, duke marrë parasysh që jemi në vijën e parë të frontit. Jemi të emocionuar dhe të lumtur që shteti shqiptar na e dha këtë mundësi. Nuk pata asnjë shqetësim, kanë kaluar 20 minuta dhe e ndjej veten shumë mirë”, thotë ajo.

E pranishme, në procesin e vaksinimit është dhe shefja e departamentit të sëmundjeve Infektive, Silva Bino. “Po shkon shumë mirë, jemi organizuar dhe do të përfundojmë shpejt”, shprehet Bino.

Vendimi, thuhet se është marrë pas takimit të zhvilluar në mes të delegacionit të FSSHK-së dhe ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasanit.

Kosova ndërkohë vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit dhe pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100.800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, ka paralajmëruar të premten se gjatë muajit mars mund të tejkalohen të gjitha kapacitetet spitalore, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në javët e fundit.

Të premten, më 19 mars, Kosova ka regjistruar numrin më të lartë të infektimeve ditore gjatë vitit 2021, përkatësisht 828 raste të reja.

Shtuar 20.03.2021 12:03