Vaksinimi i mësuesve me AstraZeneca, Rama ka një mesazh për Ramën nga Shkodra

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme  ishte i pranishëm në Shkodër nga ku bëri me dije se pritet të mbërrijnë doza të tjera vaksinash në vijim, teksa foli edhe për vaksinimin e mësuesve.

Sipas Ramës,  po rritet dita ditë numri i mësueve që kanë kryer vaksinën dhe nuk ka pasur asnjë problem pavarësisht se disa vende e kanë pezulluar AstraZeneca-n.

Rama gjithashtu kujtoi se vaksina nuk është me detyrim dhe thumboi edhe kryetarin e PD, Lulzim Basha për mbledhjen e turmave të njerëzve në këtë kohë fushate.

“Deri tani nuk kanë nxjerrë asnjë problem. Po rritet numri i mësuesve që po vaksinohen, vaksina është me dëshirë jo me detyrim. Shpresoj në të ardhmen të kemi sasi të tjera të konsiderueshme vaksinash, që pastaj të vazhdojmë me moshën mbi 60, pastaj me moshën nën 60. Kjo është sfida e sfidave, tjerat nuk kanë rëndësi.

Dalin partitë e KÇK që dalin bashkë me dhëndrin përpara me turmën e njerëzve duke mos pyetur as për virus as për gjë. Ju thashë kjo është sfidë për shëndetin, nuk rrezikohet shëndeti. Ata që bëjnë dasmorët duhet të ruajnë veten dhe të tjerët, se këto historitë me buri, makina, dy gishta janë të viteve ’90, prandaj s’fitojnë ata se janë po ata që ishin dhe kur humbën,” tha Rama.


Shtuar 18.03.2021 12:13