Boksieri shqiptar, Florian Marku të shtunën mbrëma do të zbresë në ring për t’u përballur me Chris Jenkins.
Në një intervistë për “SuperSport”, Florian Marku ka folur për këtë takim, teksa është shprehur se mezi po e pret këtë duel dhe se është gati për të marrë fitoren e radhës.
“Është një nga kundërshtarët më të mirë më të cilët jam ndeshur. Ka shumë përvojë me 30 ndeshje të zhvilluar, por unë jam përgatitur shumë dhe mezi po e pres. Duhet një fitore e bindshme, që emri im të respektohet më shumë.”
Normalisht, përgatitja për këtë sfidë është perfekte, Marku ka ndërruar ekip, palestër, trajner për kondicionin fizik dhe çdo gjë tjetër që do t’i duhet për të arritur fitoren e radhës.
“Kam ndërruar ekip, trajner, atë që merret me kondicionin fizik. Jam shumë i lumtur me të gjitha gjërat.”
Shqiptarët kanë ende nostalgji për ndeshjet e Florianit në Kickbox dhe MMA, por për momentin, ashtu siç konfirmon vete Marku, fokusi është 100% te boksi profesionist dhe rekordi i tij gati perfekt me 10 fitore dhe 1 barazim, natyrisht asnjë humbje për boksierin tonë.
“Jam 100% i fiksusar në boks. Jam I lumtur si po shkojnë gjërat. Unë e kam shumë qejf Kickboxin, kerrierën time në MMA me shtatë fitore, por kam probleme me dorën, me kapjen, kështu që nuk mendoj se mund të kthehem.”
Lajmi i mirë është që së shpejti mund ta shohim duke u ndeshur në Tiranë gjë, çka gëzon çdo shqiptar, që mund të shohë “live” një nga boksierët më të mirë të të gjitha kohërave, për sa i përket vendit tonë.
“Jam shumë I kënaqur, kam nënshkruar një kontratë të madh që pak sportistë e kanë në këtë fushë. Kam firmosur me Sky Sport zhvillimin e katër ndeshjeje dhe dashtë Zoti një prej tyre ta zhvillojmë në Shqipëri. E rëndësishme për momentin është ndeshja e së shtunës, më pas do të diskutojmë për takimin në Tiranë. Unë nuk po shoh jetë përtej boksit, jam I përkushtuar 100%. Pa këtë përkushtim nuk arrihet asgjë në jetë.”