Ultimatumi i Ramës për mediat pranë qeverisë që të ndalin sulmet ndaj kullës

Ndërtimi i kullës 56 katë në mes të Tiranës me lejen dhe bekimin e Ramës e Veliajt nga një kompani me të ardhura dhe pronarë të dyshimtë, me fije që çojnë deri te ish-kryeministri Berisha, ka ngjallur një reagim të madh publik, jo se shqiptarët janë shumë të ndjeshëm ndaj parqeve apo kauzave për mbrojtjen e ajrit, por edhe se pjesë e reagimit janë bërë edhe mediat pranë pushtetit, të cilat kanë trumpetuar gjetjet e mediave që kanë denoncuar më herët këtë aferë të pistë politikë në radhë të parë.

AlbEu ka qenë një ndër mediat që denoncuan që në fillim kullën dhe shkatërrimin e parkut, historia e miratimit të së cilës konfirmon se të gjitha palët politike janë bërë bashkë në kurriz të interesave të shqiptarëve.

Ndërkohë që mediat gëlonin, sot erdhi reagimi i kryeministrit Rama, me mesazhe që i kuptojnë vetëm ata të cilëve iu janë drejtuar, në thelb mori përsipër edhe njëherë para publikut se ishte ai që kishte dhënë lejen dhe se gjithçka ishte bërë konform rregullave duke mos harruar të theksojë se ndërtimi i kullës në fakt ishte në kuadër të nja marrëveshjeje mes pronarëve të tokës dhe kompanisë zhvilluese, a thua se po ndërtohet një kotec pulash në Babrru dhe jo një përbindësh betoni dhe hekuri në mes të kryeqytetit duke shkatërruar edhe një park.

Por, kjo është njëra anë e madaljes. Ana tjetër, lidhet me mesazhin e fortë që Rama dha sot, jo për kopenë që thonë “bravo” “të lumtë” edhe kur njoftohet rritje taksash në Facebook, por për mediat pranë tij.

Përmes marrjes përsipër të projektit duke theksuar se nuk ishte Berisha pas, Rama u tha gazetarëve dhe mediave pranë tij në fakt që të ndalojnë sulmet ndaj kullës.

Mesazhi ishte i qartë, kryeministri kërkoi nga ata që financon me para publike që të ndalojnë sulmet pasi konfirmoi se ishte edhe vetë aty përmes dhënies së firmës dhe mbrojtjes së këtij projekti. “Heqja” e Berishës nga projekti ishte një tjetër mesazh për mediat pranë tij për të thënë se tashmë nuk keni asnjë arsye pse ta sulmoni.

Mbetet për t’u parë tani se cili do të jetë intensiteti i lajmeve në mediat në fjalë për ultimatumit të shefit të qeverisë për të ndaluar sulmet ndaj kullës! /albeu.com

 

 

 


Shtuar 11.08.2023 10:39

Tags: