Ukraina mohon përfshirjen në shpërthimet e gazsjellësit Nord Stream

Ukraina ka mohuar çdo përfshirje në sulmin e shtatorit në tubacionet Nord Stream, të cilat u ndërtuan për të transportuar gaz natyror rus në Gjermani.

Mohimi vjen pas një raporti nga Neë York Times, i cili citon zyrtarë anonimë të inteligjencës amerikane që sugjerojnë se një grup pro-ukrainas ishte fajtor.

Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit ukrainas, tha se Ukraina ” nuk ishte absolutisht e përfshirë”.

Moska vuri në dyshim se si SHBA mund të nxirrte përfundime pa bërë një hetim të plote, shkruan BBC.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e quajti raportin një “fushatë të koordinuar të mediave të lajmeve të rreme” dhe i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Ria-Novosti se ata që sulmuan gazsjellësin “në mënyrë të qartë… duan të largojnë vëmendjen”.

Rusia ka fajësuar Perëndimin për shpërthimet dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që t’i hetojë në mënyrë të pavarur ato.

Hetuesit gjermanë thanë të mërkurën se kishin kontrolluar një anije në janar, e cila dyshohej se transportonte eksplozivët e përdorur për të sabotuar dy tubacionet e gazit.

Dërgesat e gazit rus ishin pezulluar përpara shpërthimeve.

Rusia mbylli gazsjellësin Nord Stream 1 në gusht të vitit të kaluar, duke thënë se kishte nevojë për mirëmbajtje. Nord Stream 2 nuk ishte vënë kurrë në shërbim.

Shkaku i saktë i shpërthimeve të 26 shtatorit që goditën tubacionet e gazit natyror nuk dihet, por besohet gjerësisht se janë sulmuar.

Udhëheqësit e NATO-s dhe perëndimorëve nuk kanë akuzuar drejtpërdrejt Rusinë për sulmin e tubacioneve të veta, megjithëse BE-ja ka thënë më parë se Rusia përdor tubacionet e saj të gazit si një armë kundër Perëndimit


Shtuar 8.03.2023 15:50