Blerina Bala është drejtuesja e re e Bashkisë së Himarës, pasi siguroi 15 vota “pro” në Këshillin Bashkiak. Në një intervistë për Top Channel, drejtuesja e Bashkisë Himarë, pasi ka marrë detyrën u shpreh se një mesazh i qartë u dha ditën e djeshme ku për zgjedhjen e saj iu bashkuan edhe votat e demokratëve.
“Mendoj se mesazhi ka ardhur dje me votat pro edhe të opozitës gjatë procesit të përcaktimit të kryetarit. Votat e këshilltarëve i shikoj si një besim ndaj meje, dhe këtu gjej rastin t’i falënderoj”, tha Bala, teksa më tej shtoi se e drejta për të protestuar është e gjithkujt, mirëpo Himara ka nevojë për një bashkim.
Në vijim ajo tregoi se e ka të qartë se çfarë punë do të bëjë gjatë drejtimit të përkohshëm të Bashkisë së Himarës.
“Patjetër që pritoriteti kryesor janë qytetarët dhe ofrimi i shërbimit ndaj tyre. Por duke qenë se jemi në prag të sezoni turistik ku pritet ‘boom’ turistësh, ne jemi duke u përgatitur për të pritur dhe menaxhuar sa më mirë këtë sezon”, shtoi ajo.
Kujtojmë se ditën e djeshme mes tensioneve dhe debateve, Këshilli Bashkiak komandoi Blerina Balajn për drejtimin e Bashkisë. Në mbledhje morën pjesë 21 anëtarë, prej të cilëve 15 votuan pro Balajt.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak nisi me tensione pasi qytetarët u futën në seancë dhe kërkuan që prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo mos ishte prezent në këtë mbledhje. Pas ofendimeve dhe debateve Tavo u largua nga mbledhja, ndërsa mbledhja u ndërpre për disa minuta. Më pas u vendos që mbledhja e Këshillit Bashkiak të zhvillohej në bashkinë e Himarës, ndërsa jashtë ambienteve qëndronin dhe Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).
Këto zgjedhje në Himarë erdhën pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Jorgo Goro, i cili një javë më parë u vu në prangat e Policisë pasi akuzohet për “shpërdorim detyre”. Gjithashtu, në qeli ndodhet edhe kryetari i zgjedhur për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, i cili është dënuar me dy vite burg pasi akuzohet për shit-blerje votash për zgjedhjet e majit, 2023./albeu.com