U vra nga shqiptari me 50 grushte në Itali, përmbushet kërkesa e fundit e viktimës

Të gjitha organet e zjarrfikësit Italian që u vra nga shqiptari, Klajdi Mjeshtri, në Rimini, do të dhurohen, kështu raportojnë mediet italiane.

Kjo ka qenë dëshira e viktimës, Giuseppe Tucci, që pas vdekjes organet e tij të dhuroheshin.

Organet e zjarrfikësit 34-vjeçar u dërguan në spitalin e Bolonjës, ndërsa të hënën pritet që i riu të përcillet për në banesën e fundit Kujtojmë se vrasja e 34-vjeçarit Italian ndodhi mbrëmjen e 12 qershorit.

Mjeshtri sulmoi italianin në një klub nate, ku punonte si “Bodyguard”. Ende nuk dihen arsyet se përse shqiptari sulmoi italianin, por bëhet me dije se e ka qëlluar 50 herë me grushte.

Sipas dëshmitarëve, disa vajza brenda klubit janë ankuar për sjellje ngacmuese të viktimës dhe njëra prej tyre ka qenë e dashura e shqiptarit.

Më pas Mjeshtri ndërhyri duke i shkaktuar vdekjen Tuccit.

“A nuk e keni vënë re sa trishtim ka në sytë e atyre që bëjnë gjithmonë shaka?”-ky është mbishkrimi që bie në sy në një foto të profilit në Facebook të shqiptarit.

Mjeshtri banonte në Fano, mirëpo ka jetuar më parë në Romagna. Për karabinierët ai është i njohur pasi ka precedentë penal.

Mediet italiane e përshkruajnë kështu shqiptarin: “Klajdi ka një fizik të fuqishëm dhe me tatuazhe. Ata që e njohin e përshkruajnë një djalë të shoqërueshëm, që shkonte mirë me të gjithë.

Klajdi deri para disa vitesh ishte arbitër futbolli. Ai ndaloi në vitin 2019, për të ndjekur angazhime dhe pasione të tjera. Pra, ka pasur një rol që i duhej të menaxhonte emocionet, të vetes dhe të lojtarëve. Vetëm se në moshën 28-vjeçare ai rrezikon tani një dënim shumë të rëndë.”
/Albeu.com/


Shtuar 19.06.2023 08:47