Gjykata ka lënë në burg tashmë efektivin e Forcave Operacionale Jeton Lami pasi dyshohet se ka qenë personi që lëvizte me makinë të shumë kërkuarin e drejtësisë Ervis Martinaj në trekëndëshin Durrës-Laç-Lezhë gjatë periudhës kur ajo kërkohej në kuadër të operacionit “Golden Bullet” pasi Nuredin Dumani tha se i kishte premtuar 500 mijë euro nëse do të vriste Indrit Doklen.
Mësohet se në rrjetë ka rënë edhe një efektiv i RENEA-s, i cili është shpallur në kërkim.
Përpos kësaj dhe denoncimit për zhdukjen e tij, deri më tani nuk dihet asgjë mbi fatin e Ervis Martinajt, i cili gjatë viteve të fundit ka qenë nën shënjestrën e grupeve kundërshtarë që i kanë eliminuar një nga një shokët si edhe të vetë policisë. Kjo e fundit duket sikur ka goditur vetëm grupin e Martinajt dhe asnjë prej kundërshtarëve, edhe pse këta të fundit kanë kryer atentat në mes të qyteteve si Tirana apo Fushë Kruja, siç ishte masakra e fundit ku u vranë tre persona, mes tyre edhe kushëriri i Martinajt, Brilanti.
Çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn?
Në fillim të gushtit ishte xhaxhai i tij dhe nëna që shkuan në komisariatin e Policisë së Kurbinit duke kërkuar nga policia t’i gjenin të afërmin pasi sipas tyre nuk kishin patur kontakt prej disa ditësh. Ata theksuan në polici, sipas dëshmisë së zbardhur nga abcnews.al, se mungesa e kontaktit nga Martinaj ishte konstatuar nga një kushëriri i tyre me banim në Dubai. Ai u kishte thënë se nuk fliste prej disa ditësh me Ervis Martinajn.
Pas këtij denoncimi u shtua edhe më tepër dyshimi mbi fatin e tij si edhe zhvillimet e bujshme në fushën e kriminalitetit. Ky denoncim përkon me periudhën kur në Laç iu bë atentat dy personazheve të tjerë, të njohur si persona të grupit të Martinajt. Madje, makina e përdorur prej tyre, një Toyota Land Cruiser e blinduar ishte përdorur shumë shpesh nga Ervis Martinaj duke shtuar dyshimet se objekt i atentatit të Laçit ishte pikërisht ai.
Lëvizjet në Durrës dhe zhdukja
Pak ditë para se familjarët të denonconin zhdukjen e tij, siç raportoi dje Abcnews.al, Ervis Martinaj është fiksuar nga kamerat e sigurisë së një hoteli me 5 yje në Durrës.
ai ka ndejtur vetëm një natë në këtë hotel dhe dhoma ishte prenotuar në emër të policit Jeton Lami, i cili e kishte sjellë me një makinë tip Audi Q8 në mbrëmje dhe e kishte marrë në mëngjes me një makinë tip “Volkswagen”.
Abcnews.al mëson se gjatë këtyre dy ditëve, makina në fjalë është parë të lëvizë nëpër rrugët e Durrësit dhe dyshohet se sipër, në vendin e pasagjerit ka qenë pikërisht Ervis Martinaj.
Makina është zhdukur më pas nga kamerat e sigurisë nëpër rrugët e Durrësit dhe ky është pikërisht momenti që prokuroria mendon se korrespondon edhe me kohën kur familjarët kanë kërkuar nga policia e Laçit që t’i gjejnë Ervis Martinajn pas humbjes së kontakteve, raporton abcnews.al.
Raportimet në media
Gjatë javës së fundit në media ka patur raportime kontradiktore në lidhje me fatin e Ervis Martinajt, të cilat shkonin deri te versioni i kapjes dhe eliminimit të tij nga kundërshtarët. Policia dhe prokuroria nuk shprehen ende në lidhje me këtë version pavarësisht insistimit të mediave.
Nga ana tjetër, prokurorët dyshojnë se polici i arrestuar Jeton Lami nuk po i tregon në gjitha çfarë di në lidhje me vendet ku ka shoqëruar Martinajn si edhe me fatin e tij. Mbetet mister fakti nëse Martinaj është gjetur nga kundërshtarët apo edhe zhdukur vetë për t’i shpëtuar policisë dhe grupeve kriminale që muajt e fundit e kanë vënë në shënjestër.
Një personazh i bujshëm
Emri i Ervis Martinajt do të përflitej për herë të parë publikisht pas vrasjes së Elvis Doçit në vitin 2013 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Gjithçka ndodhi pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” ku në vitin 2013 u vendos bllokimi i lojërave të fatit. Prokuroria dyshoi atëhere se vrasja e ndodhur pak javë më pas në zonën e Komunës së Parisit kishte lidhje me këtë operacion dhe një ndër të dyshuarit ishte pikërisht Martinaj.
“Stacioni” tjetër i bujshëm i Martinajt ishte edhe vrasja e Enton Nikës në Linzë në tetor të vitit 2015. Martinaj ishte i shoqëruar nga Mirsad Kuçana, Emiljano Tasho dhe Bujar Hasani. Pas një debat verbal dhe grushteve, personat që shoqëronin Martinajn qëllojnë ndaj Nikës duke e lënë të vdekur në vend.
Ngjarja tjetër e bujshme ishte masakra e tetorit 2018 në ish-Bllok ku Martinaj u plagos në qafë, ndërkohë që mbeti i vrarë një prej personave që e shoqëronin atë, Fabian Gaccaj. Gjithçka ndodhi pas një sherri me Ervin Matën ku i pranishëm ishte edhe ish-ushtari i Forcave Speciale BOS, Merviol Billo. Ky i fundit është ende në arrati.
Që prej kësaj periudhe, Ervis Martinajt i janë vrarë një numër i madh personazhesh që njiheshin si “njerëzit e tij”.
Saga e vrasjeve të miqve të Ervis Martinajt
Më 13 nëntor 2021 mbeti viktimë e një atentati Erigers Mihasi, i njohur si shok i Ervis Martinajt. Ai ishte duke udhëtuar në automjetin e tij tip Audi A 8 me targa AB 008 EM, në momentin kur u qëllua me breshëri plumbash. Burime bënë me dije për ABC se atentatorët qëlluan nga një automjet në lëvizje. Automjeti ishte në pronësi të Mihasit. Ai kishte personalizuar edhe targat me inicialet e tij “E M”.
Mihasi kishte qenë disa herë i arrestuar dhe shpallur në kërkim për grabitje dhe ngjarje të tjera kriminale.
Tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Ai kishte qenë i arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.
Në qershor të 2020, Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut.
Lexo edhe: Barrierat e rrugës “shoshë” nga plumbat, mbi 50 gëzhoja në vendngjarje, çfarë la pas atentati me 3 viktima
Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari.
Vrasja e Santiago Malkos
Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në gusht të vitit 2019 teksa u qëllua në makinën e tij BMË X5. Santiago Malko ish-punonjës policie kishte qenë më parë i arrestuar. Në lidhje me vrasjen e tij është arrestuar Blendi Teta.
Vrasja e Fabian Gaxhës
Fabian Gaxha u vra në lokalin “Monopol” në ish-Bllok në 4 tetor të vitit 2018 pas një përplasje mes dy grupeve. Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj, ku pas një konflikti mes palëve, u vra me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato. /abcnews.al