U thirr sot në SPAK, kryebashkiaku socialist i Krujës, “rekord” denoncimesh

Kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi është thirrur këtë të premte në SPAK.

Ndonëse nuk dihet ende arsyeja e thirrjes në SPAK, Bushi rezulton të jetë një nga zyrtarët lokalë më të denoncuar në Prokurorinë e Posaçme.

Burime nga ky institucion thonë se 7 kallëzime penale janë bërë në SPAK, ndaj kryebashkiakut të Krujës.
Për tri nga denoncimet është vendosur regjistrimi i procedimit penal për verifikimin e faktit, por pa nisur hetimet ndaj Artur Bushit.

Ndërkohë dy padi të tjera nuk janë pranuar nga SPAk, dhe grupi i hetimit ka vendosur dërgimin e tyre për kompetencë në prokurori të tjera, dhe për 2 materiale kallëzuese është vendosur mosfillim procedimi për shkak të mungesës së provave ose për shkak se fakti i pretenduar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Ai u përfshi në politikën lokale pas kthimit në Shqipëri nga Italia, duke u zgjedhur kryetar i Komunës Thumanë, në vitin 2011.

Dy vjet më pas, ai u bë pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste, për deputet në qarkun e Durrësit dhe fitoi mandatin.

Në gusht 2015, ai u bë kryetar bashkie në Krujë ndërkohë që një investigim i BIRN po atë vit zbuloi se kandidati për kryebashkiak i Krujës ishte arrestuar në qershor 2010 nga policia italiane, i dyshuar për lidhjet me një organizatë të trafikut të kokainës.

Bushi u lirua një muaj e gjysmë më pas, ndërsa çështja kundër tij u pushua dhe u arkivua në vitin 2011 nga Prokuroria italiane.

Përveç kësaj çështjeje, Artur Bushi shënoi në formularin e dekriminalizimit edhe një ndalim të vitit 1996 në Caserta të Italisë, ku ishte liruar menjëherë pas një verifikimi./albeu.com/


Shtuar 17.03.2023 11:03