Policia e Shtetit ka vënë në pranga shtetasin Bledar Selmanaj, të akuzuar për vrasjen e 25 vjecarit Xhuljano Bullari në Babicë të Vlorës.
Ndërkohë që policia bëri me dije se ka zbuluar në oborrin e tij edhe armën e cila besohet se është ajo me të cilën kreu krimin, mësohet se Selmanaj nuk e ka pranuar krimin.
Burimet bëjnë me dije se Bledar Selmanaj ka pranuar para specialistëve të Policisë se ka qenë ai personi që është nisur nga Tirana me 25-vjeçarin Xhuljan Bullari drejt Vlorës.
Krimi ndodhi në mbrëmjen e 20 gushtit në orën 21:00 dhe i riu, Bullari humbi jetën nga plumbi që mori në kokë.
Policia bëri me dije se 39-vjeçari njihej prej kohësh me 25 vjecarin por nuk e ka pranuar autorësinë e ngjarjes.
Nga hetimi i deritanishëm rezulton se ka prova dhe komunikime që provojnë se mes viktimës dhe autori ka patur një konflikt për një prishje pazari, që grupi hetimor dyshon se lidhet me një çështje droge. Të dy miqtë u nisën drejt Babicës për t’u sqaruar, por debati ka degraduar dhe Selmanaj akuzohet se ka qëlluar për vdekje të riun.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:
Vlorë/Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 21.08.2021, në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Xh. B. Finalizohet operacioni policor i koduar “Babica”. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Policinë e Shtetit. Vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, i dënuar disa herë më parë në fushën e krimeve kundër pronës.
Sekuestrohet arma e krimit me të cilën autori kreu vrasjen e 25-vjeçarit. Gjithashtu, sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 tjetër armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 2 aparate celular, një shumë parash dhe veshjet e përdorura nga autori i dyshuar gjatë vrasjes.
Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes, në bazë të provave të grumbulluara nga hetimi i bërë nga grupi i posaçëm hetimor dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës, Forcën e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Babica”.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur që në zonën e “Bllokut”, Tiranë, të kapej dhe të arrestohej në flagrancë shtetasi Bledar Selmanaj, 39 vjeç, banues në Vlorë, autori i vrasjes me armë zjarri të shtetasit Xh.B, 25 vjeç, banues në Tiranë, ngjarje e ndodhur në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në momentin e arrestimit, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me 10 fishekë, 1 aparat celular dhe një shumë parash. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Bledar Selmanaj, në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, është gjetur e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i dyshuar, shtetasi Bledar Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën, të cilin dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta, me armë zjarri, mbrëmjen e datës 20.08.2021. Nga ana e Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. /albeu.com/