Erjon Vishkulli, është tifozi i njohur i Kombëtares, që u plagos rëndë në sy gjatë protestave studentore. Pas ndërhyrjes kirurgjikale në Itali, tashmë po kalon një tjetër sfidë të rëndësishme për shikimin.
Vishkulli ka ndarë një reagim me falenderime përmes rrjeteve sociale, ndërsa protestat studentore që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama po vazhdojnë.
Të lidhura
None found
“Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë.
Një falenderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara.
Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua.
Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira.
Dhe mbi të gjitha, falenderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime.
Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj!
Mirënjohje pafund, U shtofshin Shqiptarët e mirë”.






