Ndërsa konflikti në Ukrainë po vazhdon, diskutimet në mbarë botën për perspektivën e një lufte bërthamore të shkaktuar nga Rusia janë ndoshta aq të larta sa s’kanë qenë ndonjëherë.
Zyrtarët rusë vazhdojnë t’i kujtojnë botës arsenalin e fuqishëm të armëve të vendit, dhe megjithëse shumë liderë perëndimorë e kanë denoncuar retorikën ruse duke e cilësuar si turp dhe një përpjekje për të larguar vëmendjen nga krimet e luftës që kryhen në tokën ukrainase. Megjithatë, kjo retorikë është ende një perspektivë shqetësuese për shumë njerëz.
Dhe për të shtuar edhe më tepër spekulimet mbi një luftë të tillë, avioni i Presidentit të SHBA-të Boeing 747 E-4B është parë të fluturojë dje mbi qiellin e Europës.
Avioni Nightwatch, i cilësuar si “avioni i ditës së fundit të botës” po shoqëron Joe Bidenin në udhëtimin e tij në Europë, raporton abcnews.al.
Cili është aeroplani i “ditës së fundit të botës”?
Për t’i dhënë emrin e tij teknik, avioni është në të vërtetë një Boeing E-4B Advanced Airborne Command Post (AACP), megjithëse nganjëherë quhet edhe “Pentagoni Fluturues”.
Është një avion ushtarak komandues dhe kontrollues strategjik i operuar nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara, i cili shërben si një post komandimi i lëvizshëm në rast emergjencash apo lufte.
Avioni i madh mund të strehojë një ekuipazh deri në 112 persona duke përfshirë personelin e fluturimit dhe misionit. Ky është ekuipazhi më i madh i çdo avioni në historinë e Forcave Ajrore të SHBA.
Ai gjithashtu – nëpërmjet furnizimit me karburant në ajër – teorikisht mund të qëndrojë duke fluturuar për një javë në raste urgjente, megjithëse fluturimi më i gjatë testues i përfunduar deri më tani ishte rreth 35 orë.
A është i mbrojtur nga shpërthimet bërthamore?
Ndonëse shpesh thuhet se e ka një mbrojtje të tillë, kjo nuk është e vërtetë, raporton abcnews.al.
Nëse avioni do të ishte brenda një zone ku ndodh një sulm bërthamor- ose të paktën aq afër një shpërthimi bërthamor për të pësuar efektet e valës së shpërthimit – ka të ngjarë të dëmtohej përtej përdorimit.
Megjithatë, aeroplani është i mbrojtur nga efektet e rrezatimit bërthamor dhe mund të përballojë temperaturat e larta të shkaktuara nga një shpërthim.
Një orë fluturimi i këtij avioni i kushton amerikanëve 160 000 dollar.
A duhet të shqetësohemi?
Siç u përmend, ardhja e tij në Europë nuk tregon për ndonjë përshkallëzim në konfliktin në Ukrainë, as nuk sugjeron se bota është më afër luftës bërthamore.
Është një standard sigurie i vendosur nga amerikanët që ai avion ta shoqërojë Presidentin sa herë ai bën vizita jashtë SHBA-ve.
Kjo ndodh që ai të futet në përdorim në rast të një kërcënimi bërthamor apo kur ka ndonjë defekt avionic “Air Force One”./abcnews.al