U lodhët nga vapa? Sinoptikanët japin lajmin: Nga sot do të ndiejmë freskinë

E enjtja e kësaj jave ka sjellë në vend temperatura tepër të larta dhe anormale për muajin qershor. Por sinoptikanët parashikojnë që duke nisur nga mbrëmja e sotme do të shihen ndryshimet e para të largimit të valës afrikane të të nxehtit, e cila u shoqërua edhe me pluhur.

“Me temperatura të larta pritet që të thyhet rekordi i këtij episodi në qarkun e Elbasanit, ku Cërriku ka shënuar 41.3 gradë. Në fakt sot pritet të arrihet vlera 42 gradë. Dje në kryeqytet u shënuan 39.6 gradë, sot presim afërsisht 40 gradë. Temperaturat më të larta në qarkun e Elbasanit dhe po ashtu janë regjistruar në Urën Vajgurore, Berat, Kuçovë dhe Gjirokastër, por jo më shumë se 42 gradë dhe nuk e thyejnë rekordin e 2015 me 43.4 gradë që është shënuar në qytetin e Gjirokastrës. Mbrëmë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka qenë pak më freskët. Kemi pasur një forcim të parametrit të erës, gjë që ka sjellë qarkullimin e ajrit. Kemi një rritje të papërfillshme në disa zona të temperaturave nga dje, por kemi pasur një forcim të erës, që do na shoqërojë sot pasdite, e cila është me shpejtësi më të madhe se dje dhe që sjell që ajri të qarkullojë më shumë dhe të marrim pak më lehtësisht frymë. Lagështira ka qenë shumë problematike.Masat e ajrit kanë qenë të pajisura më lagështirë, vijon 40-50%. Tirana karakterizohet nga lagështira. Nëse do vëmë re, në qiell ka filluar të qartësohet pak, duke larguar atë renë e Saharasë”, tha sinoptikania Lajda Porja për neës 24.

Ajo pohoi se gjatë natës do të ketë freskim të motit kryesisht në zonat malore e më pas në të gjithë vendin, dhe se fundjava është ideale për plazh në temperature që do të shkojnë në rreth 35 grade celsius.

“Nesër do ketë një rënie duke nisur nga veriu dhe të shtunën dhe të dielën në gjithë vendin dhe temperaturat do jenë jo më të larta se 36 gradë. Lagështira prezente dhe në fundjavë. Duke nisur që sonte gjatë natës do ta ndiejmë freskinë. Këto masa ajrore largohen nga zona veriore dhe më pas nga pjesa tjetër e territorit drejt gadishullit Iberik. Nuk parashikohet të ketë reshje. Fundjava do jetë ideale për plazh. Një mot shumë më i favorshëm, në vlerën 33-34, do ketë një erë dhe një det pak të trazuar. Nuk parashikohet të ketë reshje në territor deri në fund të qershorit. Java e ardhshme do sjellë sërish rritje të lehtë të temperaturave deri në 38 gradë. Në ditët e para të korrikut do ketë një qarkullim të këtyre masave drejt gadishullit skandinav”, tha Porja.


Shtuar 24.06.2021 17:10