U lirua një ditë më parë, Dritan Goxhaj: U burgosa fizikisht si trup, por jo liria

Një ditë pasi fitoi lirinë nga Gjyakata e Apelit të Tiranës, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Dritan Goxhaj që u arrestua për llogaritë Gjykatës Speciale të Hagës në Prishtinë rrëfeu ditët e tij në izolimit.

I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, Goxhaj e nisi bisedën me një falënderim për të gjitha mediat që e kanë mbështetur përgjatë gjithë kësaj periudhe, dhe që nuk e lanë të luftonte i vetëm.

“Në radhë të parë dua të falënderoj juve dhe gjithë median, e cila më ka mbështetur pafundësisht në këtë luftë. Dhe unë do të thoja që luftën e bëtë ju si media. Subjekti isha unë, luftëtarët ishit ju. Nëse kjo media do të ekzistonte në vitin 1999 kur unë isha në atë luftë, pra kjo mbështetje që m’u bë mua, numri i luftëtarëve për çlirimin e Kosovës do të ishte 3-4 herë më i madh.

Heronj janë ata që dhanë jetën mbi të cilën erdhën, sakrifikuan njësoj si të tjerët, por ata dhanë jetën e tyre. Pra, ata janë heronjtë e vërtetë të të gjithë kësaj. Nuk ka medalje dhe mirënjohje më të madhe se sa ku je në çështje vështirësie dhe në këto rrethana të të japin njerëzit mbështetjen e tyre, pa të të njohur fare dhe kjo është medalja më e madhe. Dhe asnjë lloj medaljeje tjetër nuk ka asnjë vlerë në këtë dynja se sa kjo medalje.

Që nga fillimi ishin akuza të cilat nuk qëndronin, dhe jam i bindur për këtë. E thashë me bindje atë që liria nuk na humbi, nuk na ishte burgosur liria.

U burgosa fizikisht si trup, por jo liria. Lirinë nuk na e burgosën dot, sepse liria është UÇK-ja, liria është kjo që sot është Kosova.

Pra, sot kemi një shtet tjetër shqiptar, i cili është një hap i mesëm i bashkimit kombëtar, një hap drejt atij hapi sublim, për të cilën ata heronj që folëm më lart dhanë dhe jetën dhe derdhën gjakun e tyre për ta arritur këtë bashkim kombëtar, dhe si unë dhe ata të tjerët që janë atje në Hagë nuk e humbëm asnjehërë lirinë.

Sepse të humbasësh lirinë do të thotë të humbasësh shpresën. Të humbasësh lirinë do të thotë që ata njerëzit e thjeshtë, në rrugë, rrjete sociake, ata të mos të të përkrahin, sepse ata janë ata që të gjykojnë realisht se çfarë ke bërë dhe çfarë nuk ke bërë.

Dhe kur ata gjykojnë, kur ata vendosin do të thotë që liria nuk ka humbur”, u shpreh ndër të tjera Dritan Goxhaj.

Ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik në Tiranë me kërkesë nga Prokuroria Speciale e Kosovës me akuzën për nxjerrjen e të dhënave të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në çështjet që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë, në një shkrim të publikuar nga ai në janar të këtij viti.

 


Shtuar 11.10.2023 21:43