U lirua nga qelia pas amnistisë, SPAK i pakënaqur më dënimin e Fran Frrokajt, ankimon vendimin

Prokuroria e posaçme ka ankimuar në Apelin e GJKKO-s dënimin me dy vite burg për ish-kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj. Ky i fundit, u dënua për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, u dënua përfundimisht me 1.4 vite burg.

Por ky dënim duket se nuk e ka kënaqur SPAK , ndaj dhe ka kërkuar në apel që Frrokaj të dënohet me 4 vite burg.

Ndër të tjera, Frrokaj është dënuar që të mos ushtrojë funksione publike për 5 vite. Bashkë me të janë dënuar edhe 5 ish zyrtarë të tjerë e gjithashtu gjykata vendosi konfiskimin e mbi 66 mijë m2 tokë te ‘Rana e Hedhun’.

Bëhet fjalë për tjetërsimin e 234 548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën e Ranës së Hedhun, e cila ishte tjetërsuar me dokumente të falsifikuara.

Në lidhje me këtë çështje sipas prokurorisë, gjykata ka vendosur dhe asgjësimin e praktikave për këtë pronë dhe rikthimin e saj ne gjendjen e mëparshme, pra në tokë shtet, por Kadastra nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Lezhës, ndaj dhe kanë nisur hetimet, duke sjellë dhe pezullimin e 11 punonjësve.

Kujtojmë se vetëm disa javë më parë Fran Frrokaj u lirua nga qelia pasi përfitoi nga amnistia.


Shtuar 26.06.2024 10:28